Nën-brendi i Xiaomi, Redmi, kohët e fundit e prezantoi telefonin e vet të parë premium - Redmi K20 Pro, ndërsa si duket në të ardhmen kjo pajisje do të bëhet edhe më shumë premium, raporton GSMArena.
Gjatë prezantimit zyrtar të telefonit K20 Pro, u theksua se pajisja do të jetë e disponueshme me një maksimum prej 8GB RAM, megjithatë, si duket ajo vjen edhe në versionin prej 12GB. Kjo u zbulua në listingun zyrtar të trupit rregullator kinez TENAA, i cili është përgjegjës për certifikimin e çdo pajisjeje para se ajo të jetë në dispozicion për shitje.

Listingu tregon qartë se telefoni do të jetë i disponueshëm në variantet 6GB, 8GB ose 12GB RAM. Është e mundur që Redmi po e përgatit edhe një version transparent të modelit K20 Pro me 12GB RAM, gjë që nuk do të ishte befasi duke pasur parasysh se Xiaomi në të kaluarën ka lansuar modele me dizajn të këtillë, shkruan KOHA Ditore.
TENAA gjithashtu i zbulon edhe opsionet e ardhshme të ngjyrave të telefonit: rozë, e bardhë, e gjelbër, vjollcë dhe gri. Këto variante do t’u bashkohen opsioneve tashmë të prezantuara të kaltër, kuqe dhe të zezë.