Derisa i inspekton deri në përpikëri fushat e mbjella të këtij fermeri për t’i gjetur pjesët e dëmtuara të barit dhe insektet e dëmshme, ky punëtor i zakontë nuk ankohet fare dhe as që di se çfarë është djersitja.
Është robot me katër rrotë, i quajtur “Tom”, që e përdor GPS-in dhe inteligjencën artificiale për ta hartuar në mënyrë digjitale fushën.
Krijuesi i Tomit, kompania “Small Robot”, është pjesë e një sërë projekteve të reja të “agro-teknologjisë”, që për synim kanë transformimin e prodhimit në një sektor që është vënë nën presion ekonomik, shkaku i presioneve të tregut për t’i mbajtur të lira çmimet e ushqimeve karshi rritjes së popullsisë globale dhe pasigurive të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Udhëheqësi i kompanisë, Watson Jones, ka folur për të mirat që i sjellë ky mjet.
“Kur ecni nëpër fshat ditëve të sotme ju shihni fusha të mëdha të hapura dhe e kuptoni se shumica e tyre kultivojnë një prodhim të vetëm në gjithë atë hapësirë. Dhe ç’është e vërteta, fshati ka ndryshuar për ta shtuar efikasitetin e makinerive të fermave. Bëhemi dëshmitarë të një vizioni, në të cilin zhvillojmë një sistem bujqësor ashtu që bima të jetë sa më e mirë”.
Edhe
Nga traktorët e automatizuar në ferma deri te korrigjimi i testeve, AI po e rrit efikasitetin në Indi
Nga kompania thonë se Tomi mund të mbulojë një hapësirë prej 20 hektarësh tokë në ditë krejt në mënyrë autonome, duke mbledhur rreth gjashtë terabajt të dhëna gjatë një ndërrimi tetëorësh dhe duke zbuluar me miliona pika të të dhënave për një fushë.
Në një ndërrim të vetëm, për shembull, makina ngjyrë portokalli mblodhi 12 milionë bimë në një fushë të vetme prej gjashtë hektarësh, dhe me këtë rast 250 mijë u identifikuan si barërat e këqija.
Në prillin e këtij viti, roboti i parë "Tom" veçse hyri në treg.
Jones thotë se kanë rreth 140 fermerë në listën e tyre të pritjes. Planifikon që shërbimin ta rris në më shumë se 100 ferma, deri në vitin 2023.
Andy Hall, që është pjesë e ekipit të prototipit, ka shpjeguar se si funksionon teknologjia.
Edhe
Robotë që pastrojnë, ndihmojnë e kujdesen për ju në pleqëri. A do t’u besonit?
“Pasi të jetë përpunuar i gjithë ai informacioni, fermeri do ta marrë të dhënën përfundimtare dhe do të marrë vendim se çfarë do të bëjë. Dhe roboti Dick, që shihet pas nesh, është njëri prej atyre që do të ndihmojë për t’i zbatuar veprimet e duhura në secilën bimë”.
Robotët e kompanisë “Small Robot” përfaqësojnë një hap tutje në evolucionin e automatizimit të fermave.