Botë

Robotë që pastrojnë, ndihmojnë e kujdesen për ju në pleqëri. A do t’u besonit?

Robotet

Sipas një raporti të fondacionit Skills for Care, vitin e kaluar kishte 131.000 vende bosh për punonjës kujdesi për të rritur në Angli. Ndërkohë, rreth dy milionë persona mbi 65 vjeç jetojnë me nevoja të paplotësuara për kujdes, sipas organizatës Age UK. Deri në vitin 2050, një në katër persona në Mbretërinë e Bashkuar pritet të jetë mbi 65 vjeç, çka do të ushtrojë edhe më shumë presion mbi sistemin e kujdesit. Këtu hyn në lojë roli i robotëve.

Të fshehura në një laborator në veriperëndim të Londrës, tre duar metalike robotike të zeza lëvizin ngadalë mbi një tavolinë pune. Nuk kanë kthetra apo pinca, por katër gishta dhe një gisht të madh që hapen e mbyllen ngadalë, me nyje në vendet e duhura.

“Ne nuk po përpiqemi të ndërtojmë Terminatorin”, thotë me shaka Rich Walker, drejtori i kompanisë “Shadow Robot”, që i ka prodhuar ato. Me syze, flokë të gjatë dhe mjekër, ai ngjan më shumë me një hipi modern sesa me një ekspert teknologjie, por ndihet krenar teksa tregon punën e firmës së tij.

“Ne synuam të ndërtonim një robot që të ndihmon -  që ta bëjë jetën më të lehtë, një shërbëtor të përgjithshëm që mund të bëjë gjithçka në shtëpi, të merret me punët e shtëpisë...”. Por pas këtij qëllimi fshihet edhe një ambicie më e madhe: të ndihmohet në zgjidhjen e një prej problemeve më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar - krizës së përkeqësuar në kujdesin social.

Sipas një raporti të fondacionit Skills for Care, vitin e kaluar kishte 131.000 vende bosh për punonjës kujdesi për të rritur në Angli. Ndërkohë, rreth dy milionë persona mbi 65 vjeç jetojnë me nevoja të paplotësuara për kujdes, sipas organizatës Age UK. Deri në vitin 2050, një në katër persona në Mbretërinë e Bashkuar pritet të jetë mbi 65 vjeç, çka do të ushtrojë edhe më shumë presion mbi sistemin e kujdesit. Këtu hyn në lojë roli i robotëve.

Qeveria e mëparshme kishte shpallur një investim prej 34 milionë funtesh për zhvillimin e robotëve që mund të përdoren për kujdes. Madje, në vitin 2019 u deklarua se “brenda 20 vjetëve të ardhshme, sistemet autonome si robotët do të bëhen pjesë normale e jetës sonë, duke ndryshuar mënyrën si jetojmë, punojmë dhe udhëtojmë”. Por a mund të jetë kjo zgjidhja e duhur - apo thjesht një ëndërr e teknologjisë? Dhe a do t’ia besonit të afërmin tuaj të moshuar ose veten kur të jeni në gjendje të brishtë, një makinerie kaq të fuqishme?

Japonia ofron një vështrim mbi një të ardhme ku robotët jetojnë mes nesh. Dhjetë vjet më parë, qeveria japoneze nisi të subvenciononte kompanitë që zhvillonin robotë për përdorim në shtëpitë e kujdesit – për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës së personelit.

James Wright, specialist i inteligjencës artificiale dhe profesor i përkohshëm në Universitetin Queen Mary në Londër, kaloi shtatë muaj duke vëzhguar përdorimin e këtyre robotëve në një shtëpi kujdesi në Japoni. Ai studioi tri lloje robotësh: i pari, HUG, prodhuar nga kompania “Fuji”, me ecje shumë të sofistikuar. Ai kishte mbështetëse që ndihmonin njerëzit të ngriheshin nga shtrati dhe t’i transferonin, për shembull, në karrige me rrota apo në tualet. I dyti quhej Paro dhe ngjante me një foke të vogël lozonjare. Ishte krijuar për të ndihmuar pacientët me demencë dhe reagonte ndaj përkëdheljeve me lëvizje dhe tinguj. I treti, Pepper, ishte një robot i vogël me pamje miqësore që jepte udhëzime dhe bënte ushtrime, duke udhëhequr klasa me ushtrime fizike për të moshuarit.

Në fillim, Wright kishte besuar shumë tek idetë e robotëve ndihmës. “Prisja që punonjësit e kujdesit, që janë shumë të ngarkuar me punë, t’i pranonin lehtë robotët”. thotë ai. “Por ajo që zbulova ishte pothuajse e kundërta”. Ai pa se pjesa më e madhe e kohës së stafit shkonte për pastrimin, karikimin dhe rregullimin e robotëve kur ata prisnin. “Pas disa javësh, punonjësit vendosën se robotët ishin më shumë telash se ndihmë dhe i përdornin gjithnjë e më pak, sepse ishin shumë të zënë”, tregon ai. “HUG duhej zhvendosur shpesh që të mos pengonte banorët. Paro shkaktoi shqetësim tek një banore që u lidh emocionalisht me të. Ndërsa me Pepperin, banorët nuk mund të ndiqnin ushtrimet sepse ai ishte shumë i shkurtër dhe zëri i tij ishte shumë i hollë për t’u dëgjuar”.

Kompanitë që i kishin prodhuar robotët dhanë reagimet e tyre: prodhuesit e HUG thanë se tani e kanë përmirësuar dizajnin, duke e bërë më të vogël dhe më të lehtë për përdorim. Krijuesi i Paros, “Takanori Shibat”a, theksoi se ai është përdorur për 20 vjet dhe ka treguar efekte të mira terapeutike. Pepper tani zotërohet nga një kompani tjetër dhe programi i tij është përmirësuar ndjeshëm.

Megjithatë, studimi i Wrightit pati rëndësi.  Walker nga “Shadow Robot” është i bindur se përdorimi i robotëve në kujdes nuk duhet refuzuar. Ai beson se brezi i ardhshëm i robotëve do të jetë shumë më i aftë dhe më i dobishëm.

Nga laboratorët në botën reale

Praminda Caleb-Solly, profesoreshë në Universitetin e Nottingham, është e vendosur që t’i bëjë robotët të funksionojnë mirë në praktikë.

“Ne po përpiqemi t’i nxjerrim këta robotë nga laboratorët dhe t’i sjellim në botën reale”, thotë ajo.

Për ta bërë këtë, ajo ka krijuar një rrjet të quajtur Emergence, për të ndihmuar në lidhjen e krijuesve të robotëve me bizneset dhe individët që do t’i përdorin ata – si dhe për të zbuluar nga vetë të moshuarit se çfarë duan nga robotët.

Përgjigjet janë të ndryshme.

Disa njerëz kanë thënë se duan robotë që mund të komunikojnë me zë dhe që të kenë pamje jo kërcënuese. Të tjerë preferojnë një “dizajn të lezetshëm”. Por shumica e kërkesave kanë të bëjnë me mënyrën praktike se si roboti mund të përshtatet me nevojat e tyre që ndryshojnë me kohën dhe që të jetë në gjendje të karikohet dhe të pastrohet vetë.

“Ne nuk duam të kujdesemi për robotin - duam që roboti të kujdeset për ne”, tha një person që u pyet për këtë.

Disa biznese në Mbretërinë e Bashkuar po testojnë gjithashtu robotë.

Kompania e kujdesit në shtëpi “Caremark” ka provuar një robot të vogël me komandë zanore të quajtur Genie, me disa persona që përdorin shërbimet e tyre në Cheltenham.

Një burrë që vuan nga demenca e hershme shpjegoi se i pëlqente t’i kërkonte Geniet të luante këngë nga Glenn Miller.

Por Folkes thekson se këto pajisje nuk kanë për qëllim t’i zëvendësojnë njerëzit.

Duart robotike: duke mësuar nga evolucioni

Në laboratorin e kompanisë “Shadow Robot” në Londër, Rich Walker thekson një tjetër sfidë të madhe: arritjen e dorës perfekte robotike.

“Që roboti të jetë i dobishëm, ai duhet të ketë të njëjtën aftësi për të ndërvepruar me botën si njeriu”, shpjegon ai. “Dhe për këtë i duhet shkathtësi si ato njerëzore”.

Dora robotike që ai tregon duket vërtet e shkathët. Ajo është bërë nga metali dhe plastika, dhe përmban 100 sensorë, me forcën dhe lëvizshmërinë e një dore njerëzore.

Çdo gisht lëviz me shpejtësi dhe saktësi për të prekur gishtin e madh, duke formuar shenjën “OK” në fund.

Madje mund të zgjidhë një kub Rubik me një dorë.

Megjithatë, është ende larg nga kryerja e detyrave më të ndërlikuara, si përdorimi i gërshërëve apo kapja e objekteve të vogla e të brishta.

“Mënyra se si përdorim një palë gërshërë është vërtet mahnitëse nëse mendon për të”, thotë Walker.

“Ne përdorim ndjesinë e prekjes në mënyrë shumë të ndjeshme dhe marrim reagime që na bëjnë të përshtatim lëvizjen. Si t’ia shpjegosh këtë një roboti?”.

Ekipi i tij, bashkë me 35 kompani të tjera inxhinierike, po punon për të projektuar një dorë më të ngjashme me atë njerëzore - pjesë e Programit të Shkathtësisë Robotike (Robot Dexterity Programme).

Ky është një nga projektet e drejtuara nga Agjencia për Kërkime dhe Inovacion të Avancuar (ARIA), që mbështet kërkime shkencore me rrezik të lartë (sepse mund të mos funksionojnë), por me shpërblim të madh për potencialin që kanë për të transformuar shoqërinë.

Udhëheqësja e projektit, profesoresha Jenny Read, shpjegon se ata po studiojnë mënyrën se si lëvizin kafshët, për të përmirësuar jo vetëm dizajnin e dorës, por edhe mënyrën e përgjithshme të ndërtimit të robotëve.

“Një nga gjërat më të dukshme te trupat e kafshëve është hijeshia dhe efikasiteti i tyre – falë evolucionit”, thotë ajo.

“Unë mendoj se hijeshia është në fakt një formë efikasiteti”.

Krijimi i muskujve njerëzorë

Guggi Kofod, një inxhinier dhe sipërmarrës nga Danimarka, po përpiqet të zhvillojë muskuj artificialë për robotë që mund të përdoren në vend të motorëve.

Kompania e tij, “Pliantics”, është ende në fazat e hershme të zhvillimit, por ka bërë një përparim të madh duke gjetur një material që e kryen këtë funksion dhe është i qëndrueshëm.

Ai ka edhe arsye personale që e motivojnë.

“Disa njerëz pranë meje kanë vdekur së fundmi nga demenca”, shpjegon ai. “E shoh se sa e vështirë është për ata që kujdesen për pacientët me demencë.

Prandaj, nëse mund të ndërtojmë sisteme që i ndihmojnë të mos kenë frikë dhe t’u ofrojnë një jetë të denjë… kjo është tepër motivuese për mua”.

Muskujt që kompania e tij krijon janë prej materiali të butë që zgjatet dhe tkurret, njësoj si muskujt e vërtetë, kur u aplikohet rrymë elektrike.

Guggi Kofod po bashkëpunon me “Shadow Robot”, si pjesë e projektit të ARIA-s, për të zhvilluar një dorë robotike në madhësi njerëzore, ku muskujt artificialë do t’i japin asaj një kapje më të saktë dhe delikate.

Qëllimi përfundimtar është që dora të ndiejë ndryshime të vogla të presionit kur kap një objekt dhe të dijë kur të ndalojë së shtrënguari – ashtu siç bën lëkura e majave të gishtave.

Çfarë do të thonë robotët për kujdestarët

Wright, i cili ka vëzhguar robotët në Japoni, ka një shqetësim të fundit: nëse robotët përhapen, ata mund ta bëjnë jetën më të vështirë për kujdestarët njerëzorë.

“Sipas tij, mënyra e vetme që kjo të jetë ekonomikisht e qëndrueshme është të paguhen kujdestarët më pak dhe të krijohen shtëpi kujdesi më të mëdha e të standardizuara, që robotët të mund të punojnë lehtësisht në to”, argumenton ai.

“Si rezultat, do të ketë më shumë robotë që kujdesen për njerëzit, ndërsa kujdestarët njerëzorë do të paguhen me pagë minimale vetëm për t’u shërbyer robotëve - gjë që është e kundërta e vizionit se robotët do t’u japin kujdestarëve më shumë kohë për t’u marrë me njerëzit”.

Ekspertë të tjerë janë më optimistë.

“Do të jetë një industri gjigante, duke pasur parasysh mungesën e fuqisë punëtore që kemi aktualisht. Kërkesa për kujdestarë do të jetë e madhe, me plakjen e popullsisë”, argumenton profesori Gopal Ramchurn nga Universiteti i Southampton.

Ai është gjithashtu drejtor i kompanisë “Responsible AI”, e cila merret me sigurimin që sistemet e inteligjencës artificiale të jenë të sigurta, të besueshme dhe të përgjegjshme.

Ai përmend robotin humanoid Optimus të Elon Muskut, i cili vitin e kaluar shërbeu pije dhe ndërveproi me njerëzit në një event të Teslës, si shenjë se – e pëlqejmë apo jo - robotët po vijnë.

“Ne po përpiqemi të parashikojmë atë të ardhme, përpara se kompanitë e mëdha teknologjike t’i vendosin këto pajisje pa na pyetur çfarë mendojmë për to”, shton ai.

Prandaj, sipas tij, tani është koha për t’i zhvilluar rregullat e duhura që të sigurojnë që robotët të punojnë për ne - dhe jo ne për ta.

“Duhet të jemi gati për atë të ardhme”.