Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Microsoft Teams mund të arrijë në Linux

Microsoft Teams, shërbimi për bashkëpunim afarist, është në dispozicion për të gjitha platformat kryesore, përfshirë Windows, macOS, iOS dhe Android. Dhe nëse jeni në ndonjë platformë tjetër, ekziston ueb aplikacioni i cili mund të përdoret gjithashtu. Megjithatë, si duket është duke u përgatitur edhe aplikacioni i pavarur për Linux, raporton Neowin

Përdoruesi i Twitterit, Hayden, e vuri re një temë në faqen Microsoft Teams UserVoice, ku inxhinieri i Teams e konfirmoi që Microsofti dëshiron që Teams të jenë në dispozicion kudo, dhe se kompania e kupton që disa nga klientët e saj përdorin edhe Linux, shkruan KOHA Ditore. Gjithashtu u theksua se së shpejti priten më shumë informacione.

Slack, i cili është konkurrent kryesor i Microsoft Team, tashmë e ka aplikacionin e vet për Linux. Kështu që do të kishte kuptim që Microsofti ta krijonte aplikacionin e vet për Linux, me çka do ta nxiste migrimin e përdoruesve nga Slack në shërbimin e tyre.