Tech

Instagrami dhe Facebooku do t’i tarifojnë përdoruesit në Evropë për shërbimin pa reklama

Meta Platforms po planifikon që të tarifojë përdoruesit e Bashkimit Evropian për shërbimin pa reklama, raportoi të mërkurën Reuters.

Këto plane abonimi pa reklama do të prezantohen për përdoruesit e Instagramit dhe Facebookut në Evropë.

Janë diskutuar disa plane për çmimet, por plani prej 10 euro në muaj është më i mundshmi, kanë bërë të ditur burimet, të cilat kanë shtuar se ky plan pritet të zbatohet në muajt e ardhshëm.

Në krahasim, Netflixi tarifon 7,99 euro për një plan bazë abonimi, ndërsa YouTube Premium i Alphabetit kushton rreth 12 euro dhe shërbimi Premium i Spotify kushton rreth 11 euro.

Meta u gjobit me 390 milionë euro në fillim të këtij viti nga Komisioneri i Irlandës për Privatësinë e të Dhënave nën arsyetimin se nuk mund të përdorë të ashtuquajturën "kontratë" si bazë ligjore për t'u dërguar përdoruesve reklama bazuar në aktivitetin e tyre në internet.