Tech

Google akuzohet nga SHBA-ja për mashtrim

Google

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar kompaninë teknologjike Google për mashtrim dhe përpjekje për të dominuar kërkimin, raportoi të martën Reuters.

Sipas SHBA-së, Google nuk ka vepruar sipas rregullave në përpjekje për të mbajtur dominimin e tij në kërkimin në internet, duke paguar 10 miliardë dollarë.

"Ky rast ka të bëjë me të ardhmen e internetit", ka thënë avokati në Departament të Shtetit, Kenneth Dintzer, duke shtuar se Google ka filluar në 2010 ta ruante ilegalisht monopolin e saj.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzon Google se u paguan miliarda dollarë çdo vit prodhuesve të pajisjeve si Apple Inc, kompanive me valë si AT&T dhe krijuesve të shfletuesve si Mozilla për t'i dhënë motorit të kërkimit të Google një pjesë tregu prej rreth 90 për qind.

Më tej, Dinzer shtoi se Google manipuloi ankandet për reklamat e vendosura në internet në mënyrë që të rriste çmimet për reklamuesit.

"Pasojat janë se pa konkurrencë serioze, Google i ka kushtuar më pak vëmendje shqetësimeve si privatësia”, ka shtuar ai.

Mbrojtja e Google për këtë çështje është e thjesht: Kompania argumenton se tregu i saj i madh nuk është për shkak se ka shkelur ligjin, por për faktin se ka një motor kërkimi të shpejtë dhe efektiv i cili është falas.

Në një gjykatë federale në Uashington kanë nisur deklaratat hyrëse për këtë rast. Gjyqi pritet të zgjasë të paktën dhjetë javë dhe do të ndahet në dy faza. Në fazën e parë, gjykatësi Amit Mehta, do të vendosë nëse Google ka shkelur ligjet për konkurrencën dhe se si menaxhohen kërkimet dhe reklamimi në këtë kompani.

Nëse gjykatësi vendos që Google ka shkelur ligjin, atëherë ai do të vendosë se cila është mënyra më e mirë për ta zgjidhur çështjen. Gjykatësi Mehta mund të vendosë thjesht të lëshojë një urdhër që i kërkon Google që të ndalë praktikat e tilla ose ta urdhërojë kompaninë që të shesë asetet.