Listingu i ri EEC (Eurasian Economic Commission) i zbulon disa modele të kartelave grafike Radeon RX 5500XT të kompanisë Gigabyte, duke i përfshirë versionet Windforce, Gaming dhe OC, raporton Overclock3D.
Edhe pse AMD ende nuk e ka publikuar zyrtarisht kartelën grafike Radeon RX 5500XT, dihet që arkitektura Navi e përdorur për serinë RX 5500 i ka disa CU (compute unit) rezervë të cilat presin të zhbllokohen, shkruan KOHA Ditore. Në vend të 22 CU-ve aktive në modelin RX 5500, RX 5500XT do t’i ketë 24 CU aktive, duke ia mundësuar kartelës grafike 128 stream procesorë më shumë dhe një përmirësim potencial të performancës prej nëntë përqind. Përveç kësaj, pritet që AMD Radeon RX 5500XT të ofrojë shpejtësi më të madhe të taktit punues në kontrast me RX 5500.
Listingu ECC sugjeron që Radeon RX 5500XT do t’i ketë 8 GB memorie GDDR6, por në këtë moment shpejtësia e memories nuk dihet.
Lansimi i serisë së kartelave grafike Radeon RX 5500 pritet gjatë tremujorit të katërt, ndërsa AMD tashmë ka konfirmuar se ASRock, ASUS, Gigabyte, MSI, PowerColor, Sapphire dhe XFX do të punojnë në versionet e personalizuara të video kartelës Radeon RX 5500.