Me daljen e gjeneratës së kartelave grafike për gaming Radeon Navi, AMD e ka sjellë arkitekturën e re 7nm RDN të procesorëve grafikë, e cila në shikim të parë është më e mirë se GCN-të e mëparshme, si në aspektin e konsumit më të ulët të energjisë ashtu edhe në arritjen e frekuencave më të larta funksionale, raporton Wccftech.
Muajin e kaluar AMD prezantoi modelin e bazuar në Radeon RX 5500 Navi, i cili do të duhej t’i zëvendësonte modelet aktuale RX 570 dhe RX 580 Polaris. Edhe pse kjo kartelë nuk është lansuar ende në treg, janë paraqitur rezultatet e para jozyrtare. Ato tregojnë se RX 5500 e arrin nivelin e performancës së modelit RX 580, duke i arritur 12111 pikë në testin 3D Fire Strike (RX 580 - 12,744; GeForce GTX 1660 - 12525).
Për sa i përket konsumit, Radeon RX 5500 e ka ulur ndjeshëm sasinë e energjisë që nevojitet, me ç’rast kur ngarkohet në lojëra i konsumon 133W, që është dukshëm më ulët se konsumi i modelit RX 580 (207W), dhe pothuajse është baras me modelin konkurrues GTX 1660 (128W).
Për sa i përket performancës në lojëra, u shënuan rezultatet: 1080p Tomb Raider - RX 5500 i ofron 59 fps, RX580 65 fps, ndërsa GTX 1660 69 fps, shkruan KOHA Ditore. Në testin 1080p Far Cry 5, RX 5500 i arrin 72 fps, RX 580 75 fps, dhe GTX 1660 85 fps.
Siç mund ta shohim, përfaqësuesi i ri "mainstream" Radeon Navi shënon një ulje të konsiderueshme të konsumit, duke e siguruar gati të njëjtin nivel të performancës si paraardhësi i Polaris. Fillimi i shitjes së modelit të ri RX 5500 është planifikuar për muajin e ardhshëm.