Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Gartner pret rënie të çmimeve të RAM-it për 42% sivjet

Pasi që para pak kohësh çmimet e memories ishin rritur dukshëm, kjo pjesë e tregut tani po kthehet në një nivel relativisht të përballueshëm. Tashmë është shënuar një rënie e ndjeshme në çmimet e RAM-it në periudhën e mëparshme, por Gartner (një nga kompanitë kryesore për hulumtim dhe analizë të tregut) beson se na pret një rënie shtesë në çmimet e memorieve, raporton TechSpot.

Analistët thonë se ngopja e tregut mund të çojë në uljen e çmimeve të DRAM-eve deri në 42.1 për qind gjatë vitit 2019. Pritet që kjo rënie e çmimeve të zgjasë për një kohë të gjatë, ndërsa Gartner beson se stoqet nuk do të shiten deri në tremujorin e dytë të vitit 2020, shkruan KOHA Ditore.

Gartner gjithashtu thekson se fitimet botërore në fushën e gjysmëpërçuesve do të bien nga 475 miliardë dollarë (nga viti 2018) në 429 miliardë këtë vit, gjë që shënon rënie prej rreth 9.6 për qind. Ky rezultat i atribuohet kryesisht luftës aktuale tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, si dhe shitjes së reduktuar të telefonave, serverëve dhe kompjuterëve.

Natyrisht, ky është ende vetëm raport i kompanisë analitike dhe nuk është një garanci e çmimeve të ardhshme të cilat mund të shkaktohen nga ndryshimet potenciale në treg.