Një ekip gamerësh me emrin OG e ka mbrojtur titullin e kampionëve të turneut të Valve, The International Dota 2, dhe me këtë rast e fitoi një çmim shumë milionësh.
OG u bë ekipi i parë që e mbrojti titullin duke i fituar 15,603,133 dollarë nga fondi i përgjithshëm i shpërblimeve prej 34,292,599 dollarë. Jo vetëm që ky është çmimi më i madh në historinë e esports, por është gjithashtu një fitim i madh parash për çdo anëtar të ekipit.
Secili anëtar i ekipit OG e mori nga një pjesë të barabartë të çmimit prej 15,6 milionë dollarësh, respektivisht rreth 3,1 milionë dollarë për person, shkruan KOHA Ditore. Për shembull, lojtari i golfit Tiger Woods i fitoi 2,07 milionë dollarë në Masters këtë vit.
Madje edhe fituesit e turneut të tenisit Wimbledon fituan më pak se gamerët. Novak Gjokoviç dhe Simona Halep secili i fituan nga 2.9 milionë dollarë.
Ekipi i dytë i turneut me emrin Team Liquid, i fitoi 4,558,038 dollarë, ose 892,000 dollarë për person.