Për dallim nga loja e Activision, Call of Duty, seria Battlefield e kompanisë EA nuk publikohet çdo vit. Battlefield V, për shembull, u publikua në vitin 2018, ndërsa gjatë vitit 2019 nuk e kishim ndonjë titull të ri. Ata që prisnin që EA ta publikonte ndonjë lojë të re Battlefield vitin e ardhshëm do të zhgënjehen, raporton Ubergizmo.
Kompania EA gjatë raportit të vet financiar ka konfirmuar se nuk do ta publikojë ndonjë lojë të re Battlefield gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa lojtarët do të duhej të kenë durim deri në vitin fiskal 2022 për ta pasur ndonjë titull të ri nga franshiza e popullarizuar, shkruan KOHA Ditore. Kjo e mbulon periudhën midis prillit 2021 dhe marsit 2022.
Gjatë kësaj periudhe EA do të mbështetet në Apex Legends, që do të jetë loja kryesore me qitje e kompanisë në treg, ndërsa kompania gjithashtu paralajmëron një zgjerim të përmbajtjes së kësaj loje. Kohët e fundit EA njoftoi se Apex Legends ia ka dalë që deri më tani t’i mbledhë 70 milionë lojtarë, kështu që nuk është për t'u habitur që kompania dëshiron të përqendrohet në këtë lojë.