Nga konferenca për gaming E3 na ndajnë disa muaj, ndërsa fansa të shumtë po pyesin nëse loja Cyberpunk 2077 do të jetë e pranishme në ngjarjen e sivjetme. Tani është konfirmuar se Cyberpunk 2077 arrin në E3, raporton PCGamer.
Duke pasur parasysh se loja ishte e pranishme edhe në konferencën e mëparshme E3, përveç nëse nuk ka shuarje të paparashikuar të studios apo vetë zhvillimit të lojës, loja në fjalë do të shfaqet edhe këtë vit. Shumë njerëz shpresojnë se Cyberpunk 2077 do të jetë publikisht në dispozicion për luajtje gjatë panairit E3, në vend të sesionit të vitit të kaluar prapa dyerve të mbyllura. Shpresën për këtë e rritë edhe më tej deklarata e ekipit të CD Projekt, se loja është plotësisht e luajtshme nga fillimi deri në fund.
Ata që patën mundësinë ta shihnin lojën, gjatë paraqitjes së saj të parë vitin e kaluar, pohojnë se demonstrimi ka kaluar shumë mirë. Loja, siç pretendohet, duket si një lojë qitjeje më shumë se ç'pritej, gjë që ishte një befasi e këndshme, shkruan KOHA Ditore.
Tani për tani, ende nuk ka ndonjë datë specifike apo kornizë kohore për daljen e lojës Cyberpunk 2077.