Tech

Çka do të ndodhë me Bitcoinin pasi tejkaloi barrierën e 100 mijë dollarëve?

BTC

Çmimi i kriptovalutës më të madhe, Bitcoin, ka tejkaluar barrierën e madhe prej 100 mijë dollarëve, duke nxitur pikëpyetje se sa lartë do të arrijë apo nëse do ta thyejë paqëndrueshmërinë e zakonshme.

Kriptovaluta arriti në 103 mijë e 400 dollarë të enjten në mëngjes, para se të pësonte rënie.

Dan Coatsworth, analist për investime në “AJ Bell” e ka cilësuar moment magjik këtë ditë, ndërsa ka thënë se ka ndërlidhje të pastër me fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trumpi ndërkohë ka shkruar në rrjete sociale duke uruar për arritjen. “Urime Bitcoinera” dhe “jeni të mirëseardhur” ishin mesazhet e tij.

Presidenti i zgjedhur, në të kaluarën është zotuar ta bëjë SHBA-në “kryeqytet të kriptovalutave” dhe “superfuqinë botërore të Bitcoinit” duke ndihmuar ngritjen e çmimit të BTC-së.

Valuta tejkaloi barrierën e njohur pasi Trumpi tha se do ta nominojë ish-komisionerin për këmbime, Paul Atkins, që të udhëheqë rregullatorin e Wall Streetit. Ai njihet si person shumë më shumë pro-kriptovalutave se udhëheqësi aktual, Gary Gensler.

“Sigurisht se ka pritje që administrata e re do të jetë disi më pro kriptovaltuave sesa e kaluara”, ka thënë Andrew O’Neill, ekspert i aseteve digjitale në “S&P Global”. “Prandaj për çmimin e Bitcoinit, mendoj se është udhëhequr nga trendi, dhe do të vazhdojë në vitin e ri”.

Gjithsesi, Bitcoini ka histori të ngritjeve e rënieve të shpejta – dhe disa analistë paralajmërojnë se kjo mund të mos ndryshojë.

“Shumë njerëz janë pasuruar nga kriptovalutat që kanë shpërthyer sivjet, por asetet me rrezik të lartë s’janë të përshtatshme për të gjithë”, ka thënë Coatsworth. “Janë të paqëndrueshme, të paparashikueshme dhe udhëhiqet nga spekulimet”.

Efekti Trump

Gjatë fushatës për president, Trumpi kishte kërkuar votën e investitorëve në kriptovaluta, duke premtuar se do ta shkarkojë Gary Genslerin – shefin e rregullatorit të financave në komisionin e letrave me vlerë dhe shkëmbime në ditën e parë të presidencës.

Gensler ka qenë më “jomiqësor” me kriptovalutat se Trumpi.

Ai e kishte cilësuar industrinë si të mbushur me mashtrime. Nën udhëheqjen e tij, ishin marrë 46 aksione ndaj kompanive të kriptovalutave. Gensler pati thënë në nëntor se do të dorëhiqet në ditën kur Trumpi të inaugurohet – 20 janar.

Zgjedhja e Paul Atkinsit për ta zëvendësuar është mirëpritur në sektorin e kriptovalutave.

Mike Novogratz, themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë së kriptove në SHBA, Galaxy Digital, ka thënë se shpreson që një funksionim më i mirë i rregullatorit do ta përshpejtonte kthimin e sistemit digjital të kriptovalutave në diçka normale si treg.

Bitcoini në vitin 2022 kishte pësuar rënie deri në 16 mijë dollarë, pas bankrotimit të këmbyesit FTX.

Një numër i ngjarjeve krahas fitores së Trumpit kanë nxitur lajme të mira se Bitcoini mund të rritet në vlerë. Komisioni tashmë ua ka miratuar kompanive të mëdha të investimeve si “Blackrock”, “Fidelity” dhe “Grayscale” që të shesin produktet e tyre bazuar në çmime të BTC-së. Disa nga këto kanë arritur çmime miliardëshe.

Por mundësia që të përjetojë rënie të shpejtë në vlerë është përkujtim se nuk duhet marrë për bazë si diçka të sigurt. Investitorët nuk kanë siguri se investimet e tyre s’do të bien në vlerë.

Carol Alexander, profesoreshë e financave në Universitetin e Sussexit i ka thënë BBC-së se frika e mbetjes jashtë tregut (FOMO) te të rinjtë do të bëjë që çmimi i Bitcoinit të rritet. Por përderisa ka shtuar se kjo mund të bëjë që edhe kriptovaluta të tjera të rriten, ka shumë të rinj që po investojnë në kriptovaluta të pavlera.

Kathleen Beritman, themeluese e kriptovalutës Tezos, po ashtu ka paralajmëruar për kujdes në investime.

“Këto janë tregje që priren të lëvizin me vrull, andaj duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm me të”, ka thënë ajo për BBC-në.