Tech

Chrome në konkurrencë, shfletuesi i Microsoftit i afrohet

Lufta e shfletuesve është ndezur që kur Microsofti vendosi të adoptojë motorin e Chromium për shfletuesin Edge, duke sfiduar haptazi Google Chromen.

Sipas të dhënave të StatCounter, shfletuesi i Microsoftit tashmë zë 9.65 për qind të tregut në mbarë botën, por ende shumë larg Google Chrome që zotëron 67.26 për qind. Megjithatë, rritje e madhe e Edges është parë si faktor pozitiv që në një të ardhme të afërt të luftojë me Chromen për vendin e parë. 

Në shkurt të këtij viti, Edge iu afrua Safarit dhe sipas të dhënave të fundit, shfletuesi i Apple tashmë është zhvendosur në vendin e tretë me 9.57 për qind të tregut.

Ndërsa Mozilla Firefox ka humbur terren nga 9.18 për qind në 7.57 për qind.

Çuditërisht, Internet Explorer vazhdon të përdoret ende kësaj dite me 0.92 për qind të tregut. Kjo për shkak të përdoruesve të cilët ende nuk kanë kaluar në Windows 10 apo Windows 11.

Në platformat mobile situata është tjetër. Edhe pse Chrome është shfletuesi dominues përsëri me 63.26 për qind të tregut, ndjekur nga Safari me 24.81 për qind dhe Samsung Internet me 4.99 për qind.