Platforma më e madhe për shkëmbimin e kriptovalutave, Binance, ka vazhduar t’iu shërbejë tregtarëve të kriptove në Iran, pavarësisht sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndalimit të kompanisë për të bërë biznes në këtë vend, shkroi të hënën Reuters.
Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksionet që ishin pezulluar tre vjet më parë si pjesë e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë e mëdha botërore.
Në nëntor të atij viti, Binance informoi tregtarët në Iran se nuk do t'u shërbente më, duke u thënë të likuidonin llogaritë e tyre.
Por në intervistat me Reuters, shtatë tregtarë thanë se e anashkaluan ndalimin. Tregtarët pretenduan se kanë vazhduar të përdorin llogaritë e tyre në Binance deri në shtator të vitit të kaluar, duke humbur aksesin vetëm pasi janë shtrënguar kontrollet kundër pastrimit të parave një muaj më parë.
"Kishte disa alternativa, por asnjëra prej tyre nuk ishte aq e mirë sa Binance. Nuk kishte nevojë për verifikim identiteti, kështu që ne të gjithë e kemi përdorur atë”, tha Asal Alizade, një tregtare në Teheran, e cila tha se e përdori shkëmbimin për dy vjet deri në shtator të vitit 2021.
Edhe
Nigeria urdhëron gjigantin e kriptovalutave të paguajë 10 miliardë dollarë
Njëmbëdhjetë persona të tjerë në Iran, përveç atyre të intervistuar nga Reuters, thanë në profilet e tyre në LinkedIn se edhe ata tregtuan kripto në Binance pas ndalimit të vitit 2018.
Binance dominon industrinë e kriptove prej 950 miliardë dollarësh, duke u ofruar 120 milionë përdoruesve të saj një sërë monedhash digjitale, derivate dhe tokenë të pandryshueshëm.