Botë

Shefi i Binances jep dorëheqje, pranon fajësinë për shpëlarje parash

Shefi i Binances, këmbimores më të madhe të kriptovalutave në botë, ka dhënë dorëheqje pasi ka pranuar fajësinë për shpëlarje parash.

Changpeng Zhao ka thënë se duhet të marrë përgjegjësi për gabimet që ka bërë.

“Unë kam bërë gabime, dhe duhet të marrë përgjegjësi. Kjo është në interesin më të mirë të komunitetit tonë, për Binancen dhe për vetë mua”, ka shkruar Zhao në platformën “X”.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka thënë se po kërkon nga Binance të paguajë 4.3 miliardë dollarë gjoba dhe kompensim të dëmeve.

Ka thënë se Binance ka ndihmuar përdoruesit që t’i ikin sanksioneve që kanë pasur nëpër botë.

“Binance ka lejuar gati 900 milionë dollarë transaksione mes përdoruesve amerikanë dhe atyre iranianë, ka ndërmjetësuar miliona dollarë transaksione mes përdoruesve në SHBA dhe atyre në Siri dhe atyre në rajonet ukrainase të okupuara nga Rusia, si Krimea, Donetsku dhe Luhansku”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë.

Binance, që është e regjistruar në Ishujt Kajman, njihet si platforma më e madhe në botë për shitje dhe blerje të kriptovalutave dhe aseteve tjera digjitale.

Në mars, rregullatorët në SHBA kanë kërkuar ndalimin, duke thënë se firma ka operuar ilegalisht në vend.

Në padi është thënë se Binance nuk është regjistruar në mënyrë adekuate në autoritetet e caktuara.

Ka akuzuar këmbimoren që ka thyer një numër të ligjeve ekonomike në SHBA, përfshirë edhe atë që synon ta ndalojë shpëlarjen e parave.