Apple ka pezulluar shitjet online të pajisjeve të saj në Turqi, pasi vendi është goditur nga një krizë e fortë inflacioni.
Kompania amerikane nuk ka njoftuar zyrtarisht se do të pezullojë shitjet, por ato online tashmë janë të padisponueshme në këtë vend.
Nëse nga Turqia hapet faqja në internet, produktet ofrohen për shitje, janë edhe specifikimet e çmimet e tyre, por është e pamundur t'i shtosh ato në karrocën online. Pothuajse të gjitha janë shënuara si të padisponueshme, transmeton portali Apple Insider.
Ndalimi vjen pasi rënia e vlerës së monedhës turke Lirës ka vazhduar edhe dje, më 23 nëntor. Lira ka arritur nivelin më të ulët historik – një dollar është 12.5 lira dhe kështu kalon kufirin “psikologjik” prej 11 lirash.
Inflacioni në Turqi aktualisht është 20 për qind. Vlera e lirës ka rënë me 40 për qind që nga fillimi i këtij viti dhe vetëm vitin e kaluar kjo rënie ishte 20 për qind.
Sipas CNBC-së, kjo filloi të ndodhte në vitin 2018, si rezultat i një kombinimi të përkeqësimit të marrëdhënieve gjeopolitike me Perëndimin, deficiteve, rënies së rezervave valutore dhe rritjes së borxhit. Shkaku më i rëndësishëm është refuzimi për të rritur normat e interesit.