Evropa lanson teleskopin hapësinor të quajtur Cheops për studimin e planetëve të largët, raporton BBC-ja.
Për dallim nga misionet e mëparshme të ngjashme, Cheops nuk do të përqendrohet në gjetjen e planetëve të rinj, por në analizimin e tyre dhe zbulimin e karakteristikave të reja për sa i përket faktit nëse janë gurore ose të pasur me gaz.

Teleskopi do të arrijë në orbitën e Tokës me raketën ruse Soyuz, e cila do të lansohet nga Franca.
Teleskopi hapësinor, Cheops, është në fakt një përpjekje e përbashkët nga 11 shtete anëtare të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), me Zvicrën në krye, në përpjekje për t’i studiuar planetët në sistemin tonë.
Universiteti në Bernë, së bashku me Universitetin në Gjenevë, e kanë siguruar një fotometër të fuqishëm në këtë teleskop, shkruan KOHA Ditore. Kështu Cheopsi do t’i matë ndryshimet e vogla në dritë kur planeti të kalojë përpara Diellit. Në këtë mënyrë do ta fitojnë diametrin e saktë të planetit, sepse ndryshimet në dritë janë proporcionale me sipërfaqen e botës. Kur këto informacione kombinohen me të dhënat për masën e planetit, shkencëtarët do të mund ta konstatojnë dendësinë e planetit.
"Nga kjo do të mund të themi diçka për sistemin dhe strukturën e brendshme të planetit. Duke i matur planetët e ndryshëm, ata që janë larg dhe ata që janë afër, ne gjithashtu mund të themi diçka në lidhje me origjinën dhe evolucionin e planetit", tha shkencëtarja Kate Isaak për BBC News.

Ajo thekson se është koha që shkenca të ndalojë së numëruari planetët, por të përqendrohet në profilizimin e tyre në një mënyrë më të sofistikuar. Duhet të dimë nëse ata kanë oqean në sipërfaqen e tyre, a kanë atmosferë, a kanë unaza? Cheops do të duhej të jetë në gjendje t’i adresojë çështjet e tilla.