Tech

WhatsAppi gjobitet me 5.5 milionë euro nga rregullatori kryesor i BE-së për privatësinë

whatsapp

Filiali i Meta WhatsAppit është gjobitur me 5.5 milionë euro të enjten nga Komisioneri i Privatësisë së të Dhënave të Irlandës (DPC), rregullatori kryesor i privatësisë në Bashkimin Evropian për një shkelje tjetër të ligjeve për privatësinë, raportoi të enjten Reuters.

DPC-ja gjithashtu e ka njoftuar WhatsAppin të rivlerësojë mënyrën se si i përdorë të dhënat personale për përmirësimin e shërbimit pas një urdhri të ngjashëm që lëshoi këtë muaj për platformat tjera kryesore të Metës – Facebook dhe Instagram, duke deklaruar se Meta duhet të rivlerësojë bazën ligjore mbi të cilën synon reklamat përmes përdorimit të të dhënave personale.

Një zëdhënës i WhatsAppit tha se synonte të apelonte vendimin dhe se besonte fuqimisht se mënyra se si funksionon shërbimi i tij është në përputhje teknikisht dhe ligjërisht.

Mbikëqyrësi irlandez, i cili është rregullatori kryesor i BE-së për shumë prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë për shkak të vendndodhjes së selisë së tyre evropiane në Irlandë, udhëzoi WhatsAppin që të zbatojë operacionet e saj të përpunimit brenda gjashtë muajve.

DPC-ja gjobiti WhatsAppin me 225 milionë euro në shtator të vitit 2021 për shkeljet që ndodhën në maj të vitit 2018, të njëjtën periudhë kohore me ankesën që u trajtua të enjten. WhatsAppi është në proces të apelimit të asaj gjobe përmes gjykatave irlandeze.

Rregullatori ka gjobitur Metën me 1.3 miliardë euro deri më sot dhe ka 10 hetime të tjera të hapura për shërbimet e saj.