Ahmet Jetullahu nga organizata për zhvillime ekonomike, “Prishtina Rea”, deklaroi të hënën, se është hapur konkursi për aplikim në trajnimin e pestë të platformës “ICTKosovo”. Në këtë trajnim, sipas Jetullahut, të rinjtë do të kenë mundësinë të marrin njohuri mbi “machine learning”, lloj inteligjence artificiale për aplikacione softuerike.
Jetullahu tha në emisionin “SOT” në KTV, se ky është moduli i pestë që do të mbahet, ku të rinjtë do të fitojnë njohuri për zhvillimet teknologjike dhe të certifikohen si përfundues të modulit. Trajnimi është hapur më 25 korrik dhe do të zgjasë deri më 30 gusht, ndërsa do t’i ketë gjithsej 300 orë.
“Po besojmë se do të jetë një interes i shtuar. Trajnimet do të jenë hibride, varësisht nga rrethanat. Projekti është i financuar nga BE-së, përfitues është Ministria e Ekonomisë. Trajnimet do të jenë me trajnerë ndërkombëtarë, me ushtrime dhe detyra. Për çdo modul kemi edhe ndihmës që ata të vazhdojnë pa ndalë me ushtrime. Ne kemi edhe platformat tona të komunikimit, ky trajnim do të zgjasë pesë muaj dhe i ka 300 orë. 250 prej tyre janë pjesa bazë, 30 janë ‘IT Project management, 20 orë soft skills dhe testi certifikues për secilin pjesëmarrës”, deklaroi ai.
Sipas Jetullahut, interesimi është i madh, veçanërisht nga Prishtina, Mitrovica e Ferizaj, ndërsa shtoi se niveli i trajnimit është ngritur për shkak të testimit në fund për pjesëmarrësve.
“Shpresojmë që t’i kalojmë shifrat prej 1.500 pjesëmarrësve. Gjithmonë kemi pasur synim të nxisim interesimin edhe të gjinisë femërore. Në raundin e fundit ishte 33 për qind pjesëmarrja e tyre, ky është avancim i mirë, e besojmë që në fund të raundit të pestë të barazohemi 50-50”, shtoi ia.
Sipas tij, aplikimi në uebfaqen e “ICT” zgjat tre minuta, e të rinjtë duhet të ofrojnë sa më tepër informata rreth punës dhe shkollimit, në mënyrë që përzgjedhja të jetë më e lehtë.
“Aspekti i dytë profesional, është po ashtu i rëndësishëm. Të gjitha këto të shënohen. Niveli i njohjes së gjuhës angleze është e domosdoshëm. Të rinjtë të kenë njohuri të mira të gjuhës angleze pasi të dhënat dhe të gjithat janë në gjuhën angleze”, deklaroi ai.
VIDEO: