Tech

Hakeri pretendon se ka vjedhur nga policia të dhëna personale të 1 miliard kinezëve

Një haker ka pretenduar se ka arritur të vjedhë një grumbull informacionesh personale nga policia e Shanghait për një miliard qytetarë kinezë, raportoi të hënën Reuters.

Sipas ekspertëve të teknologjisë, nëse ky pretendim del të jetë i vërtetë, do të ishte një nga shkeljet më të mëdha të të dhënave në histori.

Përdoruesi anonim i internetit, i identifikuar si "ChinaDan", postoi në forumin e hakerëve Breach Forums javën e kaluar, duke ofruar shitjen e më shumë se 23 terabajt (TB) të dhëna për 10 bitcoin me vlerë rreth 200,000 dollarë.

"Në vitin 2022, u zbulua baza e të dhënave të Policisë Kombëtare të Shangait. Kjo bazë të dhënash përmban shumë TB të dhënash dhe informacione për miliarda qytetarë kinezë. Bazat e të dhënave përmbajnë informacion për 1 miliard banorë kinezë dhe disa miliardë të dhëna për raste, duke përfshirë: emrin, adresën, vendlindjen, numrin kombëtar të ID-së, numrin celular, të gjitha detajet e krimit/rastit”, thuhet në postimin e tij.

Hashtag-u "rrjedhje e të dhënave" u bllokua në Weibo të dielën pasdite.

Kendra Schaefer, kryetare e kërkimit të politikave teknologjike në kompaninë konsulente me bazë në Pekin “Trivium China”, tha në një postim në Twitter se është e vështirë të analizohet e vërteta nga thashethemet.

“Nëse dalin pretendimet e hakerit se ka vjedhur materiale nga Ministria e Sigurisë Publike, do të ishte ndër shkeljet më të mëdha dhe më të këqija në histori”, tha Schaefer.

Pretendimi për një hakim ndodhi pasi Kina është zotuar të përmirësojë mbrojtjen e privatësisë së të dhënave të përdoruesve në internet, duke udhëzuar gjigantët e saj të teknologjisë të sigurojnë ruajtje më të sigurt pas ankesave publike për keqmenaxhim dhe keqpërdorim.

Vitin e kaluar, Kina miratoi ligje të reja që rregullojnë se si duhet të trajtohen informacionet personale dhe të dhënat e krijuara brenda kufijve të saj.