Shpikësit izraelitë kanë krijuar një maskë të veçantë për koronavirus që hapet te pjesa e gojës me anë të një leve dhe i lejon njerëzit të hanë pa e hequr maskën tërësisht, shkruan agjencia Reuters.
Kjo pajisje, sipas tyre, do të bëjë vizitën në një restorant më pak të rrezikshme gjatë kësaj kohe të pandemisë.
Me anë të një leve, ngjashëm me mënyrën si operon një çiklist me frenin e dorës në biçikletë, hapet një vrimë te maska te pjesa e gojës në mënyrë që të mund të kalohet ushqimi nëpërmjet saj.
Procesi mund të jetë pak më i rrëmujshëm nëse je duke ngrënë akullore. Por, për ushqim më të zakonshëm nuk është problem dhe kalon ushqimi si në stil të video-lojës Pac-Man.
“Maska do të hapet mekanikisht me anë të një leve apo edhe automatikisht kur afrohet piruni te maska”, ka thënë Asaf Gitelis, zëvendës-president i Avtipus Patents and Inventions, ndërsa e ka demonstruar se si funksionon kjo maskë e veçantë. “Mund të shijosh ushqimin dhe kur e nxjerr pirunin maska mbyllet. Në këtë mënyrë je i mbrojtur nga viruset dhe nga njerëzit tjerë që janë ulur afër teje”.
Kompania ka thënë se planifikon të dal me prodhimin e maskave brenda pak muajve dhe ka aplikuar për patentim. Çmimi mund të sillet nga 80 centë deri në 2.60 euro.
Qytetarët kanë mirëpritur këtë ide.
“Mendoj se është maskë ideale, pasi të mundëson të hash pa e hequr atë”, ka thënë 32-vjeçari Ofir Hameiri.