Tech

Anulohet misioni ruso-evropian për në Mars si pasojë e koronavirusit

Foto: ESA

Një mision i përbashkët ruso-evropian për të dërguar një rover në Mars është shtyrë për dy vjet sepse faza e fundit e tij është komprometuar nga përhapja e koronavirusit në Evropë, kanë njoftuar dy agjencitë hapësinore, ajo evropiane dhe ajo ruse.

Nisja e misionit të dytë ExoMars ishte planifikuar fillimisht për korrik apo gusht të këtij viti. Por dy agjencitë hapësinore thanë se tani po e shtyjnë lansimin deri në një datë mes gushtit dhe tetorit të vitit 2022.

“...Palët kanë konstatuar se faza finale e aktiviteteve ExoMars është komprometuar si pasojë e përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vendet evropiane”, ka thënë Roscosmos, agjencia ruse e hapësirës, përmes një deklarate, raporton Reuters.

Misioni planifikon të vendosë një makinë rover, të emërtuar “Rosalind Franklin”, mbi sipërfaqen e planetit të kuq për të ndihmuar në gjetjen e shenjave për jetë në të kaluarën, transmeton KOHA.

Agjencitë thanë se vendimi për të shtyrë ka qenë i vështirë, por ishte i motivuar nga nevoja për kohë shtesë për të kryer teste thelbësore.

Dmitry Rogozin, drejtor i përgjithshëm i Roscosmos, tha se inxhinierët patën vështirësi të udhëtojnë nëpër lokacionet prodhuese të përfshira në projekt si pasojë e kufizimeve në udhëtim.