Sony e ka lansuar një edicion të limituar të Walkmanit, për ta shënuar ditëlindjen e 40-të të pajisjes së vet të popullarizuar, e cila do ta ketë logon "40th Anniversary" dhe do ta ketë një dizajn retro, raporton HotHardware.
NW-A100TPS Walkman nuk përdor kaseta, por ka hapësirë për ruajtje prej 16 GB. Përdoruesit mund t’i shkarkojnë direkt këngët e tyre të preferuara, ose t'i streamojnë ato me mbështetje të Wi-Fi, shkruan KOHA Ditore. Pajisja ka mbështetje për Android, duke u mundësuar përdoruesve që t’i qasen një spektri të gjerë të aplikacioneve muzikore. LDAC, i cili e paraqet një codec premium pa tel, e siguron streamingun e muzikës me një tingull me cilësi të lartë. Walkmani ka edhe mbështetje NFC dhe Bluetooth, një port USB-C dhe bateri që zgjat deri në 25 orë.
Përdoruesit me siguri do të tërhiqen nga dizajni retro i pajisjes, ndërsa shtëpiza e imiton modelin origjinal TPS-L2 Walkman. Walkmeni e ka një ekran 3.6 inçësh me prekje, me interfejs i cili mund të përdoret për reprodukim të këngëve, shfaqje të kopertinave të albumeve dhe funksione të tjera. Kur nuk është në përdorim, ekrani do ta tregojë kasetën në lëvizje, në të cilën do të shfaqen detaje të këngës e cila është e lëshuar aktualisht.
NW-A100TPS Walkman do të jetë në dispozicion nga nëntori, me një çmim prej 440 dollarësh.