Raporti i The Washington Post sugjeron se agjencia FTC ka zbuluar se Google dhe YouTube e kanë shkelur Aktin e mbrojtjes online të privatësisë së fëmijëve (Children’s Online Privacy Protection Act - COPPA), i cili ua ndalon sajteve që të mbledhin informacione për fëmijët nën moshën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve të tyre, raporton Neowin.
Hetimi është rezultat i ankesave që i janë dërguar agjencisë që nga viti 2015, ndërsa hetimi i është prezantuar publikut në qershor. Tani si duket agjencia ka arritur të merret vesh me Google.
Edhe pse shuma e parave të cilën Google do ta paguajë nuk ka të ngjarë t’i japë ndonjë goditje të hyrave të kompanisë që konstatohet të jenë miliarda dollarë, ky mund të jetë fillimi i problemeve të mundshme të ardhshme me rregulloret me të cilat Google mund të përballet, shkruan KOHA Ditore. Gjithashtu, kjo mund të shihet si një paralajmërim për kompanitë e tjera të teknologjisë që mund të hetohen nga FTC-ja për probleme të ngjashme.
Ndërkohë, Google e ka filluar procesin e ndryshimit të politikave të veta të privatësisë në lidhje me fëmijët dhe përdorimin e shërbimeve të kompanisë nga ana e fëmijëve. Kompania filloi t’i pamundësojë komentet në videoklipet me fëmijët më të vegjël dhe gjithashtu po e konsideron në mënyrë aktive bartjen e të gjitha videove me fëmijët dhe përmbajtjen për fëmijët në aplikacionin Kids, të cilin YouTube e ka dizajnuar për fëmijët.