Tech

Samsung Galaxy A90 pritet të vijë me 128 GB memorie

Samsung Galaxy A9 (2018)

Duket se gjiganti jug-korean i teknologjisë, Samsung, është duke zgjeruar seritë me pajisje të reja të avancuar dhe raportohet se së shpejti do të arrijë modeli Galaxy A90.

Nuk dihet shumë në lidhje me këtë pajisje, por “SamMobile” ka zbuluar disa detaje shtesë për të.

Sipas informatave të zbuluara nga “SamMobile”, pajisja, e cila mban numrin e modelit SM-A905F, aktualisht është duke u testuar me 128 GB memorie të brendshme, transmeton Koha.net. Kjo duhet të jetë e zgjerueshme përmes kartelës microSD dhe do të jetë e kombinuar me një procesor të paspecifikuar dhe potencialisht me 8 GB RAM memorie, pak a shumë sikurse gjenerata e tanishme e Galaxy A9 (2018).

Gjithashtu, Galaxy A90 pritet të debutojë me një nga ekranet më të fundit që i përdorë Samsungu, me skaner për gishta të vendosur nën-ekran. Megjithatë, tani për tani, është e paqartë nëse ky ekran do të jetë Infinity-V me prerje (notch) ose Infinity-O me vrimë, shkruan phonearena.

Samsung Galaxy A90, po ashtu, thuhet se do të jetë në dispozicion me tre ngjyra – të zezë, ari dhe të argjendtë, si dhe me tre ose katër kamera në pjesën e pasme.

Sa i përket shitjes, Galaxy A90 raportohet se do jetë në dispozicion për shitje në gjysmën e dytë të 2019-ës, së bashku me Galaxy A50 dhe Galaxy A70 – që të dy do të kenë skanerë për gishta të vendosur nën-ekran.