Tech

AMD prezanton procesorët e rinj për Chromebookët

Foto: Neowin

Së bashku me procesorët e rinj premium Ryzen që janë të dedikuar për laptopët me Windows 10, kompania e njohur e procesorëve, AMD, sot ka prezantuar procesorët e rinj A4 dhe A6 të cilët janë të dizajnuar për Chromebookët (laptopët).

Procesorët e rinj të AMD-së do të rivalizojnë drejtpërdrejtë procesorët e Intelit - Celeron dhe Pentium, më saktësisht, A6 do të rivalizojë procesorin Pentium N4200 dhe A4 procesorin Celeron N3350, transmeton Koha.net.

Të dy procesorët, A6-9220C dhe A4-9120C, janë dy-bëthamësh të ndërtuar me procesin 28nm. A6 ka frekuencën bazë prej 1.8GHz dhe frekuencën e rritur prej 2.7GHz, ndërsa A4 frekuencën bazë e ka 1.6GHz dhe atë të rritur prej 2.4GHz, shkruan neowin.

Krahasuar me procesorët e Intelit, ato të AMD-së janë 23 për qind më të shpejtë për shfletim në ueb dhe 13 për qind për aplikacionet. Për emailat janë 2.5 herë më të shpejtë dhe 33 për qind për përmirësimin e fotografive. Po ashtu, AMD thotë se për gaming (video-lojëra) janë më të shpejtë për 34 për qind, edhe pse në fakt nuk është tërësisht e qartë se për cilat video-lojëra bëhet fjalë.

Gjithashtu, procesorët e rinj të AMD-së do të fillojnë t’i shohim në Chromebookët e rinj së shpejti, disa prej të cilëve ndoshta tashmë janë prezantuar në CES 2019 – siç është Chromebook 315 i Acerit.