Sporte të tjera

FVK-ja e cilëson skandaloz vendimin e GJAS-it për volejbollistë të Pejës

inci

Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK), e ka cilësuar skandaloz, të njëanshëm dhe të rrezikshëm për sportin, vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për gjashtë lojtarët e klubit Peja që dolën në tribunën anësore të palestrës “Bll Clinton” në Ferizaj dhe sulmuan fizikisht pak tifozë që ishin aty.

Incidenti, prej më të rëndëve në volejbollin kosovar, ndodhi më 1 dhjetor pas finales së Kupës së Federatës. U përfshinë në rrahje Leutrim Mujaj, Arlind Kabashi, Agron Nikçi, Kaltrim Berisha, Dardan Husaj dhe Gazmend Husaj.

Gjashtë lojtarët e përfshirë në incident, fillimisht ishin suspenduar nga Federata e Volejbollit e Kosovës, përkatësisht komisari i garave. Më pas Komisioni Disiplinor dha dënime prej 1 deri në 10 vjet, ndërsa më vonë Komisioni i Ankesave i Federatës së Volejbollit të Kosovës e ka aprovuar pjesërisht ankesën e klubit të volejbollit Peja për dënimin e gjashtë lojtarëve.

Volejbollistit Arlind Kabashi i ishte zbutur dënimi nga 10 vjet suspendim në shtatë vjet, ndërsa Kaltrim Berishës dhe Dardan Husajt dënimi me tre vjet suspendim u ishte shndërruar në suspendim njëvjeçar.

Ndërkohë, Gazmend Husajt, që vlerësohet prej volejbollistëve më të mirë shqiptar në histori, i ishte ulur dënimi nga 1 vit largim nga garat, në shtatë muaj. Husajt i kishte  mbetur në fuqi gjoba prej 500 eurosh, ndërsa Kabashit iu zbut gjoba në 600 euro nga 1000 sa kishte vendosur Komisioni Disiplinor më 14 dhjetor.

Vendimi i Komisionit Disiplinor mbeti në fuqi për Leutrim Mujajn dhe Agron Nikçin. Mujaj, sipas vendimit të KD të FVK-së, duhet ta vuajë dënimin prej dhjetë vjetësh suspendim dhe gjobë prej 1000 eurosh, ndërsa Nikçi, që është kapiten i skuadrës dhe mban pozitë të rëndësishme në Komunën e Pejës, duhet ta vuajë dënimin prej tre vjetësh përjashtim nga garat dhe gjobë prej 800 eurove.

Mbeti në fuqi, po ashtu vendimi për klubin e Pejës, që për shkelje të rëndë disiplinore është gjobitur me 2000 euro.

Por Gjykata e Arbitrazhit, sport në përbërje me kryetarin Armend Hamiti, dhe anëtarët Feim Maliqaj dhe Jeton Oruçi, e miratoi pjesërisht padinë e klubit Peja. Masën disiplinore të ndalimit të pjesëmarrjes në garat e FVK-së ua caktoi në shtatë muaj, ndërsa i shfuqizoi plotësisht masat disiplinore të gjobës së shqiptuar ndaj secilit lojtar, si dhe gjobën prej 2 mijë euro ndaj Pejës.

Me këtë vendim nuk është pajtuar Federata e Volejbollit e Kosovës. Ka paralajmëruar ankesë në KAS. 

“Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Bordit të FVK-së, të mbajtur më 14 gusht 2025, theksohet se ky vendim jo vetëm që bie ndesh me frymën sportive dhe parimet e “fair-play”-it, por gjithashtu përbën një precedent të rrezikshëm, sepse në mënyrë të tërthortë e promovon dhunën në sportin e volejbollit dhe në sport përgjithësisht.

Federata shpreh shqetësim të madh për mënyrën se si është trajtuar i gjithë procesi, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë dhe integritetin e tij”, shkruan ndër të tjera në reagimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës, pas mbledhjes së Bordit të saj të mbajtur të enjten.

Incidenti i 1 dhjetorit vlerësohet prej më të rëndëve në histori të volejbollit kosovar. Lojtarët e Pejës, klubit kryesor në vend, u ngjitën në tribunën anësore dhe nisën sulm fizik, me grushte e njëri edhe me një shkop, ndaj pak tifozëve të rinj që ishin në atë pjesë. Më pas u kthyen në fushën e lojës dhe i pranuan medaljet e argjendta.