Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Federata e volejbollit bën “hap të rëndësishëm” në teknologji

v

Federata e Volejbollit e Kosovës ka bërë hap të rëndësishëm në përdorimin e teknologjisë. Sipas FVK-së, Kosova është e vetmja në rajon që nga viti i ardhshëm në ndeshjet e rëndësishme do ta ketë të pranishme teknologjinë “Video Challenge”. 

Ky sistem i teknologjisë ka nisur së zbatuari në garat e rëndësishme evropiane për të shmangur gabimet gjatë ndeshjeve. E nga viti i ardhshëm, një gjë e tillë do të ndodhë edhe në Kosovë. 

Kështu ka njoftuar të martën Federata e Volejbollit e Kosovës. FVK-ja ka shkruar se “Video Challenge përfaqëson një risi të rëndësishme në volejbollin modern”, ndërsa ka shtuar se “do të rritet ndjeshëm saktësia e vendimeve të gjyqtarëve, transparenca dhe drejtësia sportive”. 

Kryetari i FVK-së, Bahri Gjinovci, deklaroi për KOHËN se kjo është fjala e fundit e teknologjisë dhe se ka kushtuar afro 30 mijë euro. Ai ka treguar se kanë nisur procedurat me kompaninë dhe nga java e ardhshme do të mbahen trajnime për përdorimin e saj. 

“Do të jenë katër gjyqtarë të rinj që do të trajnohen për këtë sistem. Dhe menjëherë do të fillojmë me implementimin e teknologjisë për lojërat finale që i kemi dhe ta aplikojmë menjëherë në vitin që vjen. Finalet e plejofit, finalet e Kupës, Superkupës, Kupën e Federatës, ligës ‘Gjergj Kastrioti’, përfshirë edhe aktivitetet ndërkombëtare, në të gjitha që i kemi, kjo do të jetë në funksion”, theksoi Gjinovci. 

Edhe Inaugurohet "FIFA Academy", projekti i rëndësishëm për futbollin kosovar Futboll Inaugurohet "FIFA Academy", projekti i rëndësishëm për futbollin kosovar

Kamerat që përdoren për këtë lloj sistemi janë të shumta dhe të vendosura në gjithë fushën, duke mos lejuar të ndodhin gabime. Pamjet e përsëritjeve janë shumë të qarta me 15 kamera, nga ajo që është sqaruar nga federata evropiane. 

Sipas të dhënave, vendosja e kamerave merr kohë deri në dy orë.

Teknologjia po ashtu ka kosto edhe në mirëmbajtje. 

“Është njëra prej ‘video-challenge’ më të avancuara. Ka kushtuar diku rreth 30 mijë euro. Edhe mirëmbajtja e pajisjes shkon diku prej 4 mijë deri në 6 mijë euro. Ky projekt është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka shtuar Gjinovci.  

Edhe E ardhmja e mjekësisë mund të jetë te videolojërat Lifestyle E ardhmja e mjekësisë mund të jetë te videolojërat

Ai theksoi se kjo teknologji do të jetë e pranishme edhe në garat evropiane të volejbollit. 

“Me këtë hap strategjik, Federata e Volejbollit e Kosovës vazhdon të konfirmojë rolin e saj si një federatë që avancohet, e përkushtuar ndaj inovacionit, zhvillimit dhe rritjes së cilësisë së volejbollit kosovar”, ka shkruar FVK-ja.