Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ziyech i lumtur që ka siguruar të ardhmen

Lojtari i ri i Chelseat, Hakim Ziyech, është falënderues që e ardhmja e tij te klubi i madh i Premier Leagues është siguruar para paqartësive për të ardhmen e menjëhershme për futbollin që janë krijuar nga pandemia.

Reprezentuesi i Marokut ka firmosur në shkurt për pesë vjet me klubin nga Londra. Kontrata e tij hyn në fuqi nga edicioni i ardhshëm. Mesfushori i lindur në Holandë te Chelsea transferohet nga Ajaxi.

“Natyrisht kjo qartësi ofron siguri pasi askush nuk e di saktë se çka do të ndodhë me tregun e transferimit të lojtarëve”, ka thënë Ziyech për AD.

27-vjeçari megjithatë asnjëherë nuk ka qenë i brengosur që rrethanat e tij mund të ndryshojnë pas pezullimit të futbollit në Angli muajin e kaluar.

“Vërtetë nuk kam pasur asnjë dyshim për asnjë çast. Firma ime është në kontratë dhe nga 1 korriku jam lojtar i Chelseat. Unë asnjëherë nuk kam pasur ndonjë mendim tjetër”, ka thënë ai.

Stinori për Ziyech ka përfunduar të premten kur u vendos përfundimisht mos të vazhdohet kampionati në Holandë. Ajaxit nuk iu dha titulli i kampionit, ndonëse ishte në vend të parë.

“Edhe unë do të doja të fitoja titullin në fushë, por nëse është dashur të zgjidhet një klub kampion, atëherë është dashur të jetë Ajaxi”, ka thënë Ziyech.

Ai largohet pas katër edicioneve nga Ajaxi, ku tashmë llogaritet ikonë.

“Ajaxi gjithnjë do të ketë vend të veçantë. Vërtetë është bërë klubi im. Isha vetvetja në Amsterdam dhe si futbollist jam bërë më i kompletuar”.

Artikuj të ngjashëm