Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova ishte titullar në fitoren e Lillet ndaj skuadrës së Nantesit. Të dielën, Lille fitoi në shtëpi me rezultatin 2:0, në ndeshjen që i takoi xhiros së dytë të kampionatit francez.
Për Zhegrovën, kjo ishte ndeshja e parë si titullar këtë edicion te Lille, pasi në xhiron e shkuar u inkuadrua nga stoli. Ai luajti deri në minutën e 71-të dhe u zëvendësua nga portugezi Ivan Cavaleiro.
Lille fitoren e siguroi në pjesën e dytë, në të cilën shënoi të dy golat. Jonathan David (66’) dhe Adam Ounas (94’) ishin shënues për ekipin vendas. Për Lillen, kjo është fitorja e parë këtë edicion, pasi në xhiron e parë luajti baras. Aktualisht, ka katër pikë të mbledhura pas dy ndeshjeve të luajtura.