Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova ka vazhduar me formën fantastike këtë edicion te skuadra e Lillet. Zhegrova ka kontribuar me gol në triumfin e Lillet në shtëpi ndaj Lorientit. Lille fitoi me rezultatin 3:0 të dielën në ndeshjen e xhiros së 18-të në kuadër të Ligue 1 të Francës.
Zhegrova luajti gjatë tërë ndeshjes dhe ishte ndër më të dalluarit në fushë. Ai e shënoi golin e tretë për Lillen, duke e vulosur rezultatin e ndeshjes. Zhegrova shënoi në minutën e dytë të kohës shtesë të takimit pas asistimit të Thiago Santosit. Për Zhegrovën, ky është goli i dytë në kampionat ku ka regjistruar 17 paraqitje, ndërsa në total ka shtatë gola e po aq asistime në 26 ndeshje të luajtura në të gjitha garat. Me këtë fitore, Lille ka tubuar 31 pikë dhe zë vendin e pestë në tabelë.