Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zhdrella e cilëson vendim të vështirë largimin nga Llapi

Mentor Zhdrella e ka vlerësuar të vështirë vendimin për t’u larguar pas katër vjetësh nga Llapi. Në një postim në Facebook, Zhdrella ka shkruar se është krenar që ka ndihmuar Llapin ta fitoj Kupën, trofeun e vetëm në histori të klubit.

Triumfi në Kupë, ia mundësoi Llapit ta siguroj pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës për edicionin e ri. Katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë dy edicionet e fundit e ka bartur edhe shiritin e kapitenit te Llapi.

“Sot mora një vendim që nuk ishte aspak i lehtë për mua. Po largohem nga Llapi pasi kalova 4 vite të mrekullueshëm. Jam krenar që ndihmova klubin të arrinte synimin historik për të fituar një̈ trofe, Kupën e Kosovës. Fillimisht, dua t’i falënderojë tifozët që gjithmonë na kanë qëndruar afër, si në momentet e mira e deri te ato më të vështirat. Falënderoj presidentin Beqir Batatina gjithë trajnerët që kam punuar me ta, stafin, bashkëlojtarët. Ishte nder dhe emocion i madh për mua që si kapiten të ngritja trofeun e parë dhe këtë moment nuk do ta harrojë kurrë. Unë po largohem por jam i lumtur që po e lë Llapin në duar të sigurta dhe me një të ardhme të ndritur”, ka shkruar Zhdrella.