Fituesi i Kupës së Kosovës në futboll, Llapi e ka konfirmuar ndarjen me katër herë futbollistin më të mirë të Kosovës, Mentor Zhdrella. Llapi nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Zhdrella është larguar pas katër vjetësh të kaluara te Llapi.
Zhdrella në dy edicionet e fundit e ka mbajtur shiritin e kapitenit te Llapi.
“Ishim krenar si klub që shiritin e kapitenit në dy edicionet e fundit e barti katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë, Mentor Zhdrella. E mbase edhe si kapiten arriti ta ngritë trofeun historik të Kupës së Kosovës të fituar më 12 maj. Kontributi i madh i Mentorit për klubin dhe fanellën e klubit të vendlindjes do të shkruhet me shkronja të arta. Në historinë e Llapit, emri i tij do të përmendet gjithmonë”, shkruan në njoftimin e Llapit.
Llapi si fitues i Kupës do të marrë pjesë në Ligën e Konferencës për edicionin e ri.