Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ylli me fitore të thellë në Prizren

Golden Eagle Ylli ka shënuar tjetër fitore në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të dielën mbrëma, në kuadër të xhiros së 13-të, Ylli i Suharekës fitoi bindshëm ndaj Proton Cable Prizrenit. Ndeshja në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren përfundoi 92:71 për mysafirët.

Në fund të çerekut të tretë, Ylli ishte në epërsi prej vetëm gjashtë pikëve, 69:63. Por dominoi plotësisht në çerekun e katërt për fitoren me 21 pikë dallim.

Çereku i katërt përfundoi 23:8 për suharekasit.

Ylli e fitoi çerekun e parë me rezultat 29:22, ndërsa prizrenasit u përgjigjën në çerekun e dytë, duke e fituar 24:20.

20:17 për Yllin përfundoi çereku i tretë.

Chris Harris udhëhoqi Golden Eagle Yllin drejt fitores. Ai kontribuoi me 17 pikë e shtatë kërcime. 17 pikë i kishte edhe kapiteni Gëzim Morina, që kontribuoi edhe me shtatë kërcime e pesë asistime.

Jalen Nesbitt i kishte 15 pikë, nëntë kërcime e tri asistime. Dejuan Graff realizoi 11 pikë, shtatë asistime e pesë kërcime.

Te Prizreni, qendra Urim Zenelaj u shqua me 16 pikë e 12 kërcime. Isaiah Kelly ishte më efikasi me 21 pikë. Realizoi edhe pesë kërcime. Ty Cockfield i kishte 16 pikë e gjashtë kërcime.

Ylli i ka tetë fitore e pesë humbje. Është i treti me 21 pikë. Prizreni mbetet i parafundit me 17 pikë. Pësoi humbjen e nëntë, ndërsa i ka edhe katër fitore.

Artikuj të ngjashëm