Pas vendimit të Qeverisë për t’i lejuar stërvitjet, Golden Eagle Ylli është kthyer në palestrën “13 Qershori” për t’u përgatitur për sezonin e ri. Madje, Ylli është ekipi i parë i basketbollit që ka filluar stërvitjet për edicionin 2020/2021.
Suharekasit tashmë kanë kompletuar skuadrën duke u përforcuar me lojtarë vendorë dhe të huaj. Klubi gjithashtu ka vazhduar kontratën me trajnerin Dragan Radoviq, që e udhëhoqi Yllin edhe sezonin e shkuar.
Trajneri Radoviq shpreson që skuadra të jetë gati për sezonin e ri, pas situatës së krijuar me koronavirus.
“Jam shumë i kënaqur që më në fund kemi filluar stërvitjet, pasi e dimë se si ka përfunduar sezoni i shkuar. Shkaku i koronavirusit është dashur ta ndërpresim kampionatin, duke mos e përfunduar ashtu si deshëm. Jam i lumtur që kemi krijuar një ekip të mirë dhe me perspektivë. Kemi një skuadër interesante dhe shpresoj që të paraqitemi sa më mirë dhe të kemi suksese këtë sezon”, ka thënë Radoviq për KOHËN.
Ylli këtë sezon synon të arrijë sukses edhe në Ligën Unike. Për trajnerin malazez, Radoviq, liga e përbashkët do të jetë një mundësi e mirë për t’u përballur edhe me skuadrat nga Shqipëria.
Edhe
KB Ylli gati për sezonini e ri, synon mbrojtjen e titullit
“Liga Unike do të jetë një mundësi e mirë për të gjitha skuadrat që ta tregojnë forcën e tyre në parket. Do të jetë një eksperiencë e re, por e mirëseardhur për të gjithë ne. Besoj se do të shtohet edhe më shumë konkurrenca dhe do të rritet cilësia edhe më shumë”, ka shtuar Radoviq.
Me Yllin, kontratat i kanë vazhduar Samir Zekiqi dhe Valon Bunjaku. Përveç këtyre, klubi ka sjellë edhe tre basketbollist të huaj. Klubit suharekas tashmë në stërvitje i janë bashkuar përforcimet: Cody John, Daniel Regis dhe Jameel McKay.