Sport

Ylli jug-korean po shkëlqen në Angli, pas vështirësive në Gjermani

Ishte një ndeshje që e ngriti në qiell Erling Haalandin në botën e futbollit. Takumi Minamino fitoi një transferim të ëndrrave në Premier League dhe bëri që trajneri amerikan Jesse Marsch të bëhej viral me një fjalim të tij pas pjesës së parë. Rikthimi i Salzburgut kundër Liverpoolit në një ndeshje epike të Ligës së Kampionëve dy vjet më parë u dallua edhe për një arsye tjetër - më në fund duke e bërë qendërmbrojtësin e Liverpoolit, Virgil van Dijk, që dukej se ishte i pathyeshëm, të dukej njerëzor.

Hwang Hee-chan është lojtari më i fundit i Koresë së Jugut që është bërë një hit i vërtetë në Premier League për shkak të fillimit të suksesshëm të karrierës së tij te Wolverhamptoni, ku është i huazuar këtë sezon. Megjithatë, ai tashmë ishte bërë i njohur për audiencën angleze me mënyrën se si e la Van Dijkun të shtrirë në fushë me një lëvizje dhe shënoi gol për t’ia siguruar Salzburgut barazimin 3:3, ndonëse ekipi austriak ishte në disavantazh prej tre golave në ndeshjen e luajtur në “Anfield Road” në tetor të vitit 2019.

Duke e konfirmuar nofkën e tij “The Bull” (Demi), Hwang shënoi atë gol të shkëlqyer individual dhe më pas asistoi për golin e Minaminos – tani lojtar i Liverpoolit – për ta lënë të mahnitur trajnerin gjerman Juergen Klopp me energjinë dhe vrapimin e tij. Sipas Hwangut, trajneri i Liverpoolit iu afrua pas ndeshjes dhe e quajti “makineri”. E te Wolwerhamptoni, tashmë kanë filluar të kuptojnë se për çfarë arsyeje e quajti Klopp sulmuesin e tyre me atë nofkë. Duke hequr qafe një sezon për t’u harruar në Gjermani te skuadra e Leipzigut, 25-vjeçari Hwang po siguron që miliona shikues nga Koreja e Jugut që e përcjellin elitën e futbollit të Anglisë, të mos jenë të fokusuar vetëm në lojtarin më të famshëm të vendit, sulmuesin e Tottenhamit, Son Heung-min në këtë sezon.

“Më duket se e kam gjetur veten në Premier League dhe jam shumë i kënaqur me këtë. Shpresoj të vazhdoj me këtë formë deri në fund të këtij sezoni dhe ta ndihmoj ekipin”, tha ai.

Hwang shënoi golin e fitores në debutimin e tij te Wolvesi duke u futur nga banka e rezervistëve, dhe shënoi edhe dy gola të tjerë në triumfin ndaj Newcastlet para pushimit ndërkombëtar, dhe ka arritur një partneritet mbresëlënës me Raul Jimenezin për të qenë forca kryesore e ekipit në xhirot e para të këtij edicioni.

“Ata janë fantastikë - loja e qëndrueshme e Raulit dhe Chanit po funksionon shumë mirë për momentin dhe ekipi po tregohet shumë efikas falë tyre. Është ndjenjë shumë e mirë dhe e sigurt t’i kesh të dy në sulm”, tha mbrojtësi i Wolvesit, Max Kilman.

Wolvesi e ka opsionin për ta bërë lëvizjen e Hwangut të përhershme për 15 milionë euro. Dhe, duke parë mënyrën se si ka nisur periudha e tij e huazimit, atëherë ekipi anglez patjetër se do ta shfrytëzojë opsionin e blerjes së tij deri në fund të këtij edicioni. Ky sezon është krejtësisht tjetër prej edicionit të kaluar për Hwangun, i cili është titullar te Koreja e Jugut dhe luajti kundër Sirisë e Iranit në kualifikimet për kampionatin botëror “Katari 2022” gjatë javës së shkuar. Sezoni i tij i kaluar, që ishte edhe viti i parë te Leipzigu në Bundesligë, u prish nga shpërthimi i koronavirusit. Sipas trajnerit të atëhershëm të Leipzigut, Julian Nagelsmannit, Hwang tha se ndihej “pothuajse i vdekur” për një javë pasi rezultoi pozitiv kur u kthye në Gjermani nga detyra ndërkombëtare në nëntor. Ai kishte shënuar një herë në shtatë paraqitje për ekipin deri në atë pikë dhe pas një mungese prej gati dy muajsh, bëri vetëm tri ndeshje në pesë muajt e fundit të Bundesligës pa shënuar gol. Kjo doli në kontrast me 16 golat dhe 22 asistimet që Hwang i regjistroi në sezonin 2019/20 me Salzburgun, klubi austriak që ai iu bashkua në moshën 19-vjeçare kur u largua nga Koreja e Jugut.

Tani, ai është koreani i 14-të i jugut që luan në Premier League - një ligë në të cilën ai u dashurua si fëmijë kur shikonte bashkëkombësin Park Ji-sung të luante për Manchester Unitedin - dhe i shtati që ka shënuar gol. Hwang u transferua te Wolvesi në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës dhe ishte zëvendësues në tri ndeshje para se të hynte në skuadër në vend të Adama Traores, anësorit të shpejtë që është pjesë e Spanjës. Hwang ka treguar shumë më shumë qetësi para portës sesa Traore, siç u shfaq me dy golat e tij ndaj Newcastlet pas asistimeve të Jimenezit. Aftësia e tij për të avancuar përpara - një qasje që nga koha e tij në Salzburg dhe Leipzig - përshtatet me stilin e lojës të preferuar nga trajneri i Wolvesit, Bruno Lage, i cili mori drejtimin e ekipit para fillimit të këtij edicioni duke zëvendësuar Nuno Espirito Santon.

Dhe duke luajtur në krahun e majtë të Jimenezit, Hwang po merr një pozicion që Son - një lojtar që ai e ka përshkruar si modelin e tij – e ka te Tottenhami së bashku me Harry Kanen. Edhe dyshja e Wolverhamptonit është identike sikurse ajo e Tottenhamit, dhe pritet të tregohet e rrezikshme edhe në ndeshjen kundër Aston Villas, të shtunën. Hwang duket se është përshtatur në çdo aspekt në klubin anglez dhe tifozët kanë një arsye më shumë për ta adhuruar lojtarin aziatik.

Steve Bull, një ish-sulmues i Anglisë, është një nga lojtarët më të mëdhenj të klubit dhe rekordmen me 306 gola të shënuar. Tani, Wolverhamptoni ka një “Bull” tjetër që po del të jetë i preferuari i tifozëve në stadiumin “Molineux” këtë sezon.