Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është ende duke qeshur me idenë që skuadra e tij mund të fitojë katër trofe këtë edicion. Por ai pranon se ka skuadrën më të mirë gjatë kohës së tij në “Anfield Road”.
Një nga arsyet për këtë deklaratë të guximshme është ardhja e fundit, anësori kolumbian Luis Diaz, i cili ka rritur opsionet sulmuese të gjermanit për gjysmën e dytë të edicionit. Liverpooli i dha fund pritjes dhjetëvjeçare për të fituar një garë të kupës vendase javën e kaluar, duke mundur Chelsean pas penalltive për të fituar Kupën e Ligës. Liverpooli është favorit i madh për të arritur në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, të martën, ndërsa me ndryshime të mëdha në përbërje kaloi me lehtësi në çerekfinale të Kupës FA.
Liverpooli e ka mposhtur Interin në ndeshjen e parë të një të tetës së finales së Championsit me shifrat 2:0. Ndeshja e parë ishte luajtur në Itali.
Një seri prej shtatë fitoreve në Premier League ka rindezur garën për titullin e kampionit me Manchester Cityn, garë që dukej e përfunduar në fillim të vitit. Janari mund të kishte shkatërruar edicionin e Liverpoolit, me Mohamed Salahun e Egjiptit dhe Sadio Manen e Senegalit që luajtën në Kupën e Afrikës, në të cilën Senegali e mposhti Egjiptin në finale pas penalltive.
Mirëpo, Diaz mbërriti nga Porto te Liverpooli në fund të afatit kalimtar për një dëmshpërblim që mund të rritet deri në 60 milionë euro, duke rifreskuar opsionet sulmuese të trajnerit Klopp, ndërsa ai po lufton në të gjitha frontet për trofe. Pjesa më e madhe e suksesit gjatë epokës së Kloppit ka qenë e varur nga treshja sulmuese: Salah, Mane dhe Roberto Firmino. Por të treve u skadojnë kontratat në fund të edicionit të ardhshëm, moment në të cilin ata do të jenë përtej moshës 30-vjeçare.
Edhe
Kloppi me fjalë të mëdha për Nunezin përkundër mungesës së golave
“Ishte e nevojshme të transferonim Diazin, pasi ne nuk mund të mbështetemi vetëm te këta djem”, tha Klopp, pasi Diaz luajti në fitoren 1:0 të së shtunës ndaj West Hamit. “Duhej të sillnim cilësi dhe energji të freskët. Kjo është ajo që ne u përpoqëm dhe duket se funksionoi me ardhjen e Diazit, që është një lojtar fantastik”.
Klopp mund të përballonte luksin për ta lënë Diogo Jotan, me 17 gola të shënuar, në stol në fundjavë, ndërsa Salah u zëvendësua për t'i dhënë një pushim të rrallë përpara vizitës së Interit në Champions.
Në stadiumin “San Siro”, tri javë më parë, ishte prezantimi i Diazit që ndihmoi në ndryshimin e lojës së Liverpoolit, pasi Klopp bëri katër ndryshime përpara minutës së 60-të. Interi ishte ekip më i mirë se Liverpooli për pjesën më të madhe të 75 minutave të para, por hendeku financiar midis klubit të Premier Leagues dhe atij të Serie A, u shfaq në fazat e fundit të ndeshjes. Kampioni në fuqi i Italisë, Interi, që u detyrua të shiste Romelu Lukakun dhe Achraf Hakimin vitin e kaluar për shkak të problemeve financiare, pati rënie të lojës në fund të takimit kur Firmino dhe Salah shënuan për t'i dhënë Liverpoolit fitoren 2:0 përpara ndeshjes kthyese në “Anfield Road”.
“Djemtë tani kanë vërtet cilësinë e duhur, por ne nuk mund të luajmë në të gjitha garat dhe të shkojmë larg në këto gara nëse nuk e kemi këtë gjerësi. Nuk ka asnjë shans”, tha Klopp. “Ju mund ta bëni këtë për një vit kur jeni me fat edhe me lëndime, por mendoj se kemi pasur vite ku Firmino, Mane dhe Salah, kanë luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet”.
Edhe
Orari i ngjeshur ka lënë gjurmë te Liverpooli, që po synon katër trofetë
Diaz 25-vjeçar, ka shënuar vetëm një herë në tetë paraqitje për Liverpoolin, por ai ka qenë në anën fituese në të gjitha ndeshjet. Vrapimi i tij në krah dhe presioni i madh janë përshtatur në mënyrë të përsosur në stilin e lojës së ekipit anglez. Edhe lojtarëve që kanë shijuar suksese të mëdha në “Anfield Road”, si Andy Robertson dhe Fabinho, fillimisht u janë dhënë muaj për t’u adaptuar dhe përmbushur kërkesat e trajnerit Klopp.
“Kur e pamë të luante për Porton menduam se ai është pikërisht lojtari që e donim në ekipin tonë. Ai kur ishte te Porto dukej si lojtar i Liverpoolit dhe jam shumë i gëzuar që tani Diaz është pjesë jona”, ka insistuar Kloppi.