Sport

Kloppi me fjalë të mëdha për Nunezin përkundër mungesës së golave

Sulmuesi Darwin Nunez nuk ishte në listën e golashënuesve në fitoren 3:1 të Liverpoolit në udhëtim tek Aston Villa të hënën. Por trajneri Juergen Klopp pati fjalë të mëdha për uruguaianin, të martën.

Klopp insistoi se është shumë i kënaqur me lojën e gjithanshme të sulmuesit Nunez dhe është i bindur se golat prej tij do të vijnë herët apo vonë. Nunez humbi disa raste të mira kundër Aston Villas, por vrapimi i tij i pandalshëm dhe krijimi i rasteve i mundësuan të shpallej lojtari më i mirë i ndeshjes.

Klopp tha se është gjatë në botën e futbollit dhe nga përvoja e di se nuk shqetësohet për Nunezin, i cili ende nuk po e arsyeton dëmshpërblimin e Liverpoolit, me gola të shënuar. 23-vjeçari iu bashkua ekipit anglez para fillimit të këtij edicioni nga Benfica për 80 milionë euro. Ai tek Liverpooli u transferua për ta zëvendësuar Sadio Manen që iu bashkua Bayernit. Por deri më tani Nunez ka shënuar vetëm nëntë gola në të gjitha garat, kurse ka bërë edhe katër asistime.

“Ka shumë gjëra të tjera që janë shumë më të rëndësishme sesa golat e tij. E them këtë sepse nëse shikoj prapa te sulmuesit me të cilët kam punuar, ju nuk mund të imagjinoni disa nga shanset që i kanë humbur ata. Andaj nuk shqetësohem aspak për golat e Nunezit. Unë jam i kënaqur me atë që ai ka treguar deri më tani”, është shprehur Klopp. “Shkalla e punës që ai e bën gjatë ndeshjes, hapësirat që krijon dhe gjërat tjera, më interesojnë më shumë. Me një fjalë ai është i pandalshëm në këtë moment. Nuk ka asnjë mbrojtës që mund të arrijë me të vërtetë shpejtësinë e tij. Andaj, personalisht jam i qetë dhe kam kërkuar edhe nga Nunezi që të mos i bëjë vetes presion për mungesën e golave”.

Klopp ka kërkuar nga tifozët dhe gjithë të tjerët që të tregohen të durueshëm me Nunezin, i cili sipas tij, veçse ka filluar të ambientohet në Premier League. Nunez luajti edhe në Kupën e Botës “Katari 2022” me Uruguain, ku në tri ndeshje të luajtura nuk realizoi gol. Uruguai u eliminua në fazën e grupeve, ndërsa Nunez iu bashkua herët Liverpoolit në përgatitjet për rifillimin e sezonit, që u ndërpre shkaku i Botërorit.

“Nunezi do të shënojë gola, dhe për këtë aspak nuk dyshoj. Gjithçka do të jetë në rregull, pasi golat do të vijnë së shpejti. Andaj, kërkoj nga të gjithë që të tregohen të durueshëm me të për shkak se gati është përshtatur plotësisht në kampionatin tonë, i cili është mjaft i fortë dhe i vështirë”, u shpreh Klopp.

Pas startit të dobët këtë edicion në Premier League, Liverpooli gradualisht po ngjitet në tabelë dhe synimi i ekipit nga “Anfield Road” mbetet njëra prej pozitave që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Aktualisht, Liverpooli renditet i gjashti në Premier League me 25 pikë të mbledhura, pesë më pak se Tottenhami që zë vendin e katërt dhe që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

“Jemi rikthyer gradualisht pas fillimit të dobët dhe besoj se mund të ngjitemi edhe më lart, pasi kemi ekip të mirë”, u shpreh Klopp.