Liverpooli ka kompletuar transferimin e Darwin Nunezit nga Benfica. Lajmi është bërë i ditur të martën mbrëma në sajtin zyrtar të klubit të madh anglez.
Sulmuesi nga Uruguai ka firmosur kontratë afatgjatë me “Reds”, pasi ka kompletuar testet mjekësore. Nunez kaloi te Liverpooli pas dy edicioneve te Benfica në Portugali. Ai realizoi 48 gola në 85 ndeshje në të gjitha garat.
22-vjeçari ka 11 paraqitje për Uruguain, ndërsa ka debutuar në tetor të vitit 2019.
“Jam vërtetë i lumtur që jam këtu në Liverpool. Është klub gjigant”, ka thënë Nunez për sajtin zyrtar të Liverpoolit.
“Dua të falënderoj partneren time, prindërit e mi dhe djalin e tim, që është burim i krenarisë për mua. Ata kanë qenë shumë të rëndësishëm për mua gjatë karrierës. Është kënaqësi të jesh këtu në Liverpool dhe jam vërtetë i lumtur që jam pjesë e klubit të madh”, ka shtuar Nunez.
Ai është zhvilluar te Club Atletico Penarol. Edicionin 2019/2020 e kaloi tek Almeria, në kategorinë e dytë spanjolle, para se t’i bashkohej Benficas.
Nunezi do të mbaj fanellën me numër 27 te Liverpooli.
Transferimi i tij i kushton Liverpoolit 100 milionë euro. Këtu janë përfshirë edhe bonuset që i takojnë Benficas, varësisht nga paraqitjet e lojtarit.