Afati kalimtar i janarit në futboll është konsideruar shpesh si një vend ku klubet e dëshpëruara bëjnë transferime në një përpjekje për të shpëtuar sezonin. Alex Ferguson, ish-trajneri i Manchester Unitedit, e vinte në pikëpyetje vlerën e tij, duke thënë se “të gjitha transferimet e mëdha ndodhin në verë”. Megjithatë, Liverpool mund të kërkojë ta ndryshojë këtë mendim të skocezit. Ardhja në mes të sezonit e kolumbianit Luis Diaz është një faktor kryesor prapa aftësisë së klubit anglez për të ruajtur energjinë për shkak të ngarkesës në synimin për ta mbyllur sezonin me katër trofe të fituar.
Dhe, askund kjo nuk u ilustrua më shumë sesa në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, që u luajt të martën mbrëma. Papritmas, Liverpooli ishte në telashe përballë Villarrealit, i cili e mbylli pjesën e parë në epërsi me shifrat 2:0. Aq keq luajti Liverpooli në këta 45 minuta, saqë trajneri Juergen Klopp i kërkoi ndihmësit të tij, Peter Kraëietzit të gjente një lojtar që do t’i ndiqte udhëzimet e tij në pjesën e dytë. Mirëpo përgjigjja e ndihmësit Krawietz ishte: “Unë nuk mund të gjej një”.
Kështu që Klopp kërkoi inkuadrimin e Diazit. Anësori i shkëlqyer i Kolumbisë solli energji te Liverpooli, falë vrapimeve të tij në krah qysh në fillim të pjesës së dytë. Ai shënoi një nga tre golat në një hark kohor prej 12 minutash për ta kthyer ndeshjen, dhe siguruar fitoren Liverpoolit me rezultatin 3:2. Kështu që Liverpooli u kualifikua në finale të Championsit me rezultatin e përgjithshëm 5:2. Për Liverpoolin, kjo është finalja e tretë në pesë vjet. Shpenzimi i Liverpoolit prej 45 milionë eurosh për të sjellë Diazin nga Porto duket si një Pazar shumë i mirë.
“Nuk prisni mrekulli menjëherë nga ky lloj i lojtarit”, tha Klopp, duke iu referuar transferimeve të janarit si Diaz. “Por ai nuk është shumë larg të bëjë pikërisht këtë”.
Nuk është vetëm ajo që Diazi po bën me top dhe pa top - shkalla e punës së tij është po aq mbresëlënëse sa prekja dhe mashtrimet e tij - por edhe se si prezantimi i tij në krah po ndikon te shokët e tjerë të skuadrës. Me Diazin duke u bërë gjithnjë e më shumë zgjedhja e parë në krahun e majtë, Sadio Mane është shtyrë më shumë në një qendërsulmues të lëvizshëm dhe është në periudhën e tij më të mirë të sezonit. Në të vërtetë, Diaz dhe Mane po e lënë nën hije Mohamed Salahun, anëtari më i famshëm i treshes sulmues te Liverpoolit dhe golashënuesi më i mirë i ekipit këtë sezon. Andrew Robertson, i cili luan si një mbrojtës i majtë pas Diazit, gjithashtu po shfrytëzon në maksimum hapësirën e krijuar nga kolumbiani. Energjia e Diazit është gjithashtu infektive. Ai duket se është një përshtatje ideale për një qasje me presion të lartë dhe të vështirë për kundërshtarin të favorizuar nga Klopp.
“Po flisja me James Milnerin për djalin e ri, Diazin dhe tha se ai është shumë i shpejtë në krah. Në fakt, Milner pranoi se të gjithë po kanë probleme në stërvitje për ta mbuluar Diazin”, ka zbuluar ish-sulmuesi i Liverpoolit, Michael Owen. “Ai tha se Diaz qysh në stërvitjen e parë u konfirmua si lojtar i rëndësishëm i Liverpoolit”.
Edhe
Diazi i ofron Liverpoolit një dimension të ri në sulm
Sigurisht që debutimi i plotë i Diazit kundër Leicesterit në “Anfield Road” më 10 shkurt ishte diçka për t'u shijuar, me disa nga prekjet dhe goditjet e tij që shkaktuan një “brohoritje” të madhe nga tifozët e Liverpoolit. Diaz është një lojtar argëtues. Një javë më parë, Diaz e kishte torturuar Manchester Cityn në një paraqitje të shkëlqyer në pjesën e parë në fitoren 3:2 të Liverpoolit në gjysmëfinalen e Kupës FA dhe më pas shënoi golin e parë në triumfin 4:0 ndaj Manchester Unitedit në ligë disa ditë më vonë.
Ngritja e Diazit ka përkuar me një rënie të lehtë në performancë nga Diogo Jota, sulmuesi portugez, ardhja e të cilit në fillimin e sezonit 2020/21 më në fund shkatërroi treshen e parë sulmuese të krijuar nga Salah, Mane dhe Roberto Firmino. Firmino, i vlerësuar aq shumë nga Klopp për shkallën e tij të punës, tani mund të jetë sulmuesi i pestë te Liverpooli. 25-vjeçari Diaz do ta përfundojë këtë sezon duke luajtur më shumë se 60 ndeshje për klubin dhe përfaqësuesen, duke filluar me tri paraqitjet e tij për Kolumbinë në Kupën e Amerikës në muajin korrik.
Ai tashmë ka një medalje të fituesit të Kupës së Ligës – pasi ishte titullar në finalen kundër Chelseat që Liverpool e fitoi me penallti në shkurt – dhe ka shumë të ngjarë që të startojë kundër Chelseat edhe në finalen e Kupës FA më 14 maj dhe finalen e Championsit më 28 maj. Po ashtu Liverpooli po e sfidon Cityn edhe për titullin e kampionit në Premier League, pasi ka vetëm një pikë më pak se kampioni në fuqi kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të sezonit. Liverpooli është afër ta përfundojë sezonin më të mirë ndonjëherë nga një klub evropian dhe Diaz, i cili ka qenë në “Anfield Road” për më pak se katër muaj, është në zemër të tij.