Ylli i futsallit (futbollit të sallës), Ricardinho, ka njoftuar të martën se i ka dhënë fund karrierës te përfaqësuesja e Portugalisë. Këtë e ka bërë të ditur në një ceremoni emocionale të mbajtur në ambientet e Federatës së Futbollit të Portugalisë.
Ricardinho 36-vjeçar, do të vazhdoj të luaj në nivel klubesh. Ai është pjesë e skuadrës ACCS Paris. Por ka vendosur t’i jap fund karrierës me Portugalinë të cilën e ka udhëhequr drejt titullit të botës dy muaj më parë. Ishte titulli i parë për Portugalinë. Ricardinho kishte fituar titullin e Evropës me Portugalinë në vitin 2017. Ricardinho është shpallur gjashtë herë lojtari më i mirë i futsallit në botë.
“Sot njoftoj për fundin e një cikli. Pa dyshim ishte një udhëtim i pabesueshëm dhe i paharrueshëm”, ka thënë Ricardinho. “Është vendimi më i vështirë që kam marrë në karrierë”, ka shtuar lojtari që ka shifra rekorde. Ai ka shënuar 141 gola në 187 ndeshje për Portugalinë.