Sport

Ylli i Brazilit, Neymar, është kthyer në formë përpara Botërorit

Neymar - Paris Saint-Germain

A ishte vërtet Neymari? Kjo ishte pyetja që tifozët e bënin përpara se të mbyllnin sytë dhe ta shikonin përsëri brazilianin në fushë. Ai po vraponte në krahun e majtë të fushës në kohën shtesë, duke u përpjekur maksimalisht të mbante topin në lojë. Kjo u pa fundjavën e kaluar gjatë barazimit të Paris Saint-Germainit, 1:1, në shtëpi ndaj Monacos.

Neymar, princi i vetëkënaqur i PSG-së për kaq shumë vjet, po punonte më shumë se çdokush në fushë. Për këtë u bindën edhe tifozët e pranishëm në stadiumin “Parc des Princes”, të cilët e duartrokitën atë pas një kohe të gjatë.

Ky është lajm i mirë për Përfaqësuesen e Brazilit, sidomos përpara Kampionatit Botëror “Katari 2022” që nis në fund të muajit nëntor. Një Neymar në formë të mirë dhe më i përgatitur se kurrë duket se ka lënë pas vetes shqetësimet për formën fizike dhe lëndimet e shpeshta që e kanë përcjellë prejse është pjesë e Parisit. Qëkur iu bashkua PSG-së për një rekord botëror prej 222 milionë eurosh në vitin 2017, Neymari është paraqitur në vetëm 92 ndeshje në ligë nga 190 të mundshme. Ai nuk është pëlqyer edhe për qasjen e po ashtu për përpjekjet irrituese për të poshtëruar kundërshtarët ose për të qortuar shokët e skuadrës që nuk ia pasonin topin. Dhe dështonte kur PSG-ja kishte vërtet nevojë për të në Ligën e Kampionëve.

Kjo duket se këtë edicion ka ndryshuar te Neymari. Nuk ka pasur asnjë rast histerik apo debati me bashkëlojtarët, simulime në fushë, sikurse në të shkuarën. Neymari ka qenë i njohur për rrokullisjet e tij të panevojshme në fushë gjatë Botërorit 2018, të cilat e kanë përcjellë edhe te Parisi. Mirëpo këtë edicion Parisi duket se ka zbuluar një Neymar krejtësisht tjetër, i vendosur për të dëshmuar më në fund vlerat e një sulmuesi të klasit botëror.

Qëndrimi i Neymarit ka ndryshuar deri në atë masë që ai madje veproi si ndërmjetës për të pajtuar disa futbollistë në duelin kundër Monacos, kur ata u përfshinë në një fjalosje.

Mbi të gjitha, golat e Neymarit këtë edicion janë dëshmia më e mirë për formën e jashtëzakonshme. Penalltia kundër Monacos e çoi atë në tetë gola të shënuar në pesë ndeshje, duke përfshirë edhe golin në “Trofeun e Kampionëve të Francës” që u luajt para fillimit të sezonit. Ai ka shtuar edhe gjashtë asistime deri më tani, që do të thotë se ka qenë i përfshirë gati në tre gola për lojë. Nuk është çudi që e përditshmja sportive “L'Equipe” e ka atë në krye të listës me një notë mesatare prej 8 nga 10, në vlerësimet javore të lojtarëve. Ai ka një pikë më shumë se shtatë herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Messi.

“Neymari është ai që sjell ekuilibrin përpara”, tha trajneri i PSG-së, Christophe Galtier. “Ekipi ka pasur nevojë për këto cilësi të Neymarit, të cilat këtë sezon po dalin në pah. Për këtë jam shumë i lumtur”.

Me Galtier, që i nxjerr lojtarët e PSG-së jashtë zonës së tyre të rehatisë, Neymari po duket afër më të mirës së tij. Kjo është shenjë premtuese për Brazilin në Kupën e Botës, turne në të cilin Neymar do të futet si një nga lojtarët më të vlerësuar. Në Katar, Neymari madje mund të thyejë rekordin brazilian të Peles me 77 gola. Ai ka 74 për Brazilin.

“Jam i kënaqur me formën time dhe shpresoj të vazhdoj kështu deri në fund të sezonit. Është e rëndësishme ta mbaj këtë formë edhe për Kampionatin Botëror”, ka theksuar Neymar.

Neymar po lidhet me Messin ashtu siç bënë gjatë kulmit të karrierës së tyre në Barcelonë, ku ata formuan një nga partneritetet më të mira të sulmeve në historinë e futbollit, të njohur si MSN - me Luis Suarezin. Tani është MNM - Messi, Neymar Mbappe - duke shkaktuar makthe në mbrojtjen e skuadrave tjera franceze. Në katër ndeshjet e ligës, PSG-ja ka shënuar 18 gola, me Messin dhe Mbappen që kanë nga shtatë secili.

“Po kuptohemi mirë mes vete. Këtë edicion kemi synim t’i fitojmë të gjithë trofetë, përfshirë edhe Championsin. Kemi bërë një start të mirë këtë edicion dhe kjo është e rëndësishme”, shtoi Neymar.