Sport

Fati kthehet në stërvitje te Barcelona pas gati dhjetë muajve

Gati 10 muaj më vonë, Ansu Fati i Barcelonës po buzëqesh përsëri në fushën e stërvitjes. Fati 18-vjeçar u kthye në stërvitje me shokët e skuadrës të martën dhe shpreson që së shpejti të jetë mjaft i aftë për të rritur sulmin e Barcelonës, i cili u varfërua nga largimi i Lionel Messit.

Fati nuk ka luajtur në një ndeshje qëkur sulmuesi premtues dëmtoi meniskun e gjurit të majtë kundër Real Betisit në La Liga nëntorin e vitit të shkuar. Barcelona postoi një fotografi të Fatit duke buzëqeshur gjatë seancës stërvitore të së martës.

“Ansu Fati përfundoi një pjesë të seancës me pjesën tjetër të skuadrës”, tha klubi. “Si pjesë e rikuperimit të tij, Ansu Fati do të (alternojë) midis seancave individuale dhe seancave me pjesën tjetër të skuadrës”.

Ai pritet të jetë gati për të luajtur përsëri në ndeshje pas disa javësh. Koha fillestare e shërimit të Fati ishte rreth katër muaj, por kishte disa pengesa dhe atij i duhej më shumë se një operacion për t'u shëruar plotësisht. Problemet e penguan atë të luante me Barcelonën dhe gjithashtu u dha fund shanseve të tij për t’u futur në Përfaqësuesen e Spanjës për Kampionatin Evropian dhe Lojërat Olimpike të Tokios. Ai kishte bërë debutimin e tij me ekipin kombëtar jo shumë kohë para se të lëndonte gjurin. Kthimi i Fatit i jep trajnerit të Barcelonës, Ronald Koeman një mundësi tjetër për të kompensuar mungesën e Messit. Messi u bashkua me Paris Saint-Germanin për shkak të vështirësive financiare të Barcelonës. Memphis Depay, transferimi më i madh i Barcelonës gjatë verës, ka filluar mirë duke luajtur në sulm përkrah Antoine Griezmannit dhe Martin Braithëaitet. Klubi gjithashtu transferoi edhe sulmuesin veteran, Sergio Aguero, por ai është i dëmtuar dhe nuk pritet të luajë deri në muajin tetor. Një tjetër sulmues që kthehet nga dëmtimi është edhe francezi Ousmane Dembele. Fati ka shënuar 13 gola në 43 ndeshje me Barcelonën. Ai kishte shënuar pesë herë në dhjetë ndeshje para se të lëndohej kundër Betis, duke përfshirë një gol në “El Clasico” kundër Real Madridit në stadiumin “Camp Nou”. Ai është golashënuesi më i ri për Barcelonën dhe Përfaqësuesen e Spanjës. Barcelona hapi kampanjën e saj në ligën spanjolle me një fitore 4:2 ndaj Real Sociedad, e ndjekur nga një barazim 1:1 te Athletic Bilbao. Ndeshja e ardhshme e Barcelonës në kampionat është të dielën kundër Getafes.