Golden Eagle Ylli është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në Suharekë, Ylli e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultat 75:58. Ndeshja i ka takuar xhiros së 21-të të elitës së basketbollit kosovar. Ylli në xhiron e kaluar pësoi nga Trepça në Mitrovicë, por ka gjetur ritmin ndaj prizrenasve. Megjithatë fundi i ndeshjes ishte i padëshiruar, si në shumë sfida të tjera.
Më pak se dy minuta para fundit, gjyqtarëve vendosën që të zbrazin palestrën. Një grup i shikuesve kanë fyer Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe më pas kanë hedhur një mjet shpërthyer. Pas vërejtjeve të zakonshme, gjyqtarët vendosën që gjithë shikuesit duhet të largohen nga palestra.
Ndërprerja zgjati rreth 25 minuta, ndërsa kohën e mbetur lojtarët e kanë luajtur vetëm formalisht, pa u angazhuar fare. Ndeshje të ndërprerë kishte edhe të shtunën mbrëma në Gjakovë, ku u takuan Vëllaznimi dhe Trepça. Dhe kjo po ndodhë thuajse në çdo xhiro të Superligës. FBK-ja ka ndaluar grupet e organizuara të tifozëve dhe nuk po lejon sharjet e ofendimet në kor, pas dhunës së shfaqur në turneun e Superkupës.
Kjo po e ka çmimin e vet. Kampioni në fuqi, Ylli, shkëputjen e madhe e bëri në çerekun e dytë, të cilin e fitoi 30:15. Kapiteni Gëzim Morina shkëlqeu tek Ylli me 23 pikë e shtatë kërcime. Chris Harris i kishte katër pikë, por shtoi 14 kërcime e pesë bllokada. Henrik Shirko i kishte 18 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Valon Bunjaku ndihmoi me 10 pikë, pesë kërcime e pesë asistime. Te Bashkimi më i miri ishte Samadro Samuel.
Ai realizoi 18 pikë e 12 kërcime. Por Samuel u përjashtua nga loja pak para fundit dhe kjo solli acarimin e situatës. Daniel Lekndreaj i kishte 11 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Dajuan Graf ndeshjen e mbylli me 11 pikë e shtatë kërcime. Ylli është në krye të tabelës. Ka 16 fitore e pesë humbje. Ishte në seri prej 15 fitoreve para disfatës në Mitrovicë. Ndërkohë Bashkimi është i pesti me 30 pikë, përkatësisht me bilanc prej nëntë fitore e 12 humbje.