Pas humbjes nga Rahoveci vikendin e shkuar, Golden Eagle Ylli është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll. Ylli të mërkurën mbrëma ka triumfuar ndaj Pejës në ndeshjen e mbetur të xhiros së 20.
Dueli i luajtur në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ka përfunduar me rezultatin 88:77 në favor të ekipit nga Suhareka. Me këtë fitore, Ylli ka tubuar 35 pikë sa i ka edhe Ponte Prizreni në pozitën e parë ndërsa Peja mbetet e katërta në tabelë me 33 pikë të mbledhura. Për Pejën, kjo ishte humbja e tretë rresht kurse u paraqit pa Dardan Berishën, i cili mungoi shkaku i lëndimit. Valon Bunjaku me 24 pikë të shënuara ishte më efikasi te Ylli derisa me lojë të mirë, u veçuan edhe Erjon Kastrati e Samir Zekiqi. Kastrati ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 20 pikëve e 13 kërcimeve derisa Zekiqi shtoi 17 pikë. Ndërkohë, te Peja vetëm dy basketbollistë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. Brandon Walters pati 31 pikë e 17 kërcime derisa Leroy Dandy shtoi 13 pikë e 12 kërcime, që nuk mjaftuan për të evituar humbjen nga Ylli.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo