Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, as që e mendon largimin e Xherdan Shaqirit nga përfaqësuesja.
Pas Botërorit në Katar ka pasur të tillë që kanë vlerësuar se Shaqiri duhet të largohet. Por Yakin e sheh Shaqirin pjesë të rëndësishme të Zvicrës. Dhe vlerëson paraqitjet që ai kishte në Botëror, sidomos ndaj Serbisë. E ka përmendur edhe nervozizmin e Shaqirit pas zëvendësimit në ndeshjen ndaj Serbisë.
Shaqiri kishte shënuar golin e parë dhe kishte nisur aksionet për dy golat tjerë në fitoren që bëri krenarë gjithë shqiptarët.
“Shaq ishte i përfshirë në të gjithë katër golat tanë në Kupën e Botës. Kur e kam zëvendësuar në ndeshjen ndaj Serbisë ai ishte vërtetë i nervozuar. Duhet të jetë pikërisht kështu. Shaq ka treguar se atij nuk i duhet stërvitja për të shkëlqyer. Ai është gati kur ndeshjet e mëdha vijnë. Nuk duhet të diskutojmë për Shaqirin: nëse është i gatshëm, ai është shumë i vlefshëm për ne”, ka thënë Yakin në një intervistë për Blick, të premten.