Sport

Xherdan Shaqiri: Ndeshja në Kosovë moment krenarie, do të na presin ngrohtë

Ka diçka në lidhje me Xherdan Shaqirin. Shaqiri ka prani në fushë edhe pse gjatësia e tij nuk është e madhe. Ish-futbollisti i Liverpoolit, Stoke Cityt, Bayern Munichut dhe Interit është në disponim të mirë dhe i relaksuar pas një seance stërvitore me skuadrën e Major League Soccer (MLS), Chicago Fire. Por një vështrim në sytë e tij zbulon diçka më shumë. Një kujtim ndoshta i një rrugëtimi të gjatë që filloi në Gjilan të Kosovës, ose të Jugosllavisë siç ishte kur ai lindi në vitin 1991. Shaqiri ka lëvizur nga Kosova para se mund të ecte mirë. Pas ditëlindjes së parë, familja e tij mori vendimin për t'u shpërngulur në Zvicër. Luftërat kishin filluar dhe rajoni ishte në prag të luftës në Kosovë. Lëvizja në Zvicër ofronte siguri për familjen. Por nuk ishte aspak e lehtë.

“Nëse ndryshon shtetin, do të shkosh në një vend ku nuk njeh askënd”, thotë ai. “Unë nuk vija nga një familje e pasur. Prindërit e mi punuan shumë. Nuk kaluam kohën më të mirë. Por ndonjëherë kjo të bën më të fortë”.

Familja Shaqiri u vendos në Augst, Zvicër, në vitin 1992. Babai i tij gjeti punë si punëtor i thjeshtë. Nëna e tij pastronte zyrat e ndërtesave. Paratë ishin të pakta pasi familja dërgonte aq sa mundte tek anëtarët e tjerë të familjes që mbeti në Kosovë. Shaqiri thotë se ishte i vetmi i huaj në shkollën e tij. Dhe futbolli ishte streha e tij.

“Në sport ju keni gjithmonë një shans për të shpëtuar nga këto lloj gjërash. Të rritesh si person, të jesh garues, të mësosh kultura të reja”.

Talenti i Shaqirit tërhoqi vëmendjen e skautëve të skuadrës së madhe zvicerane, FC Basel. Në sezonin e parë të plotë si profesionist, Shaqiri e udhëhoqi Baselin drejt sukseseve. Në vetëm tre vjet ai ndihmoi skuadrën të fitonte tre tituj kampioni dhe dy kupa të Zvicrës. Më pas, në vitin 2012 erdhi një transferim te Bayern Munichu, ku ai ishte pjesë e ekipit fitues të tripletës në edicionin 2012/13. Një periudhë e shkurtër tek Interi u pasua me një kalim te Stoke City. Por rënia e Stoket në Championship në vitin 2018 i hapi dyert për një lëvizje te Liverpooli i Juergen Kloppit, duke luajtur rol në sukseset e klubit në Ligën e Kampionëve dhe Premier League.

“Unë gjithmonë do ta shikoj atë periudhë me shumë krenari. Mendoj se ajo që arritëm është e mahnitshme”, thotë Shaqiri.

Një nga pikat kryesore të karrierës së Shaqirit është të qenit titullar dhe dhënia e një asistimi në fitoren mahnitëse me rikthim të Liverpoolit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës në “Anfield Road”, në maj të vitit 2019.

“Kush do ta harrojë ndonjëherë atë që bëmë atë natë”, krenohet Shaqiri.

Liverpooli fitoi me rezultatin e përgjithshëm 4:3 për ta eliminuar Barcelonën dhe vazhdoi në finale, ku e mposhti Tottenhamin, duke i dhënë Shaqirit medaljen e tij të dytë të Ligës së Kampionëve. Ky sukses dhe periudha te Liverpooli kanë bërë që Shaqiri ta përkrahë këtë edicion ekipin anglez dhe trajnerin Klopp, pavarësisht rezultateve jo të mira. Shaqiri ka besim te Kloppi, kurse mendon se tekniku gjerman do të rindërtojë ekipin drejt sukseseve të reja. Shaqiri shton se Liverpooli do ta sigurojë pjesëmarrjen në Champions edhe pse një gjë e tillë duket e pamundur për momentin.

“Unë besoj te Juergeni. Shpresoj që ai të qëndrojë sa më gjatë në Liverpool. Ai është një fitore e madhe për klubin. Unë mendoj se Liverpooli do të jetë shumë i zënë në tregun e transferimeve këtë verë. Por unë mendoj se është thelbësore që skuadra të kualifikohet në Champions në mënyrë që të mund të marrë lojtarët që dëshiron”.

Pati shumë bujë kur Shaqiri nënshkroi për ekipin Chicago Fire pak më shumë se një vit më parë. Chicago Fire nuk arriti të futej në plejofin e MLS-së edicionin e shkuar. Skuadra gjithashtu ka vuajtur deri më tani këtë kampanjë, por Shaqiri duket i vendosur për ta ndryshuar këtë.

“Duhet ta bëjmë. Sigurisht, ka pak më shumë presion mbi mua këtë sezon. Ne po punojmë për këtë dhe po përpiqemi të ndryshojmë mentalitetin dhe të sigurojmë që ky të jetë një ekip fitues”, u shpreh ai.

Jashtë fushës, sulmuesi po shijon edhe jetën në Chicago. Edhe pse nuk është adhurues i picës së famshme të qytetit, ai thotë “Nëse kam një picë, duhet të jetë një picë e duhur italiane. Atij i pëlqen të marrë pjesë në ngjarjet sportive në SHBA, duke përfshirë Super Bowlin e këtij viti në Arizona. Dhe pastaj janë ambiciet ndërkombëtare. Pasi bëri debutimin për Zvicrën në vitin 2010, Shaqiri ka regjistruar 112 ndeshje mbresëlënëse ndërkombëtare, duke përfshirë paraqitjet në katër Kampionate Botërore deri më tani. Turneu i vitit 2026 do të luhet në SHBA, Kanada dhe Meksikë dhe Shaqiri shpreson të luajë në të.

“Shpresoj se mund të luaj në atë turne”, shprehet ai.“ Ne e dimë se amerikanët mund të organizojnë gjëra të mëdha shumë mirë. Jam i sigurt se do të jetë një nga Kupat e Botës më të mira. Mund të mos jetë sporti më i popullarizuar këtu, por mendoj se njerëzit do të emocionohen”.

Para pjesëmarrjes në Botëror, fokusi i Zvicrës është kualifikimi për “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani. Edhe kjo mund të jetë një emocionale për Shaqirin, pasi në Grupin I gjendet edhe Kosova. Në Botërorin “Rusia 2018”, Shaqiri i kishte flamujt e të dyja vendeve në këpucët e tij. Në një udhëtim në Kosovë, Shaqiri ka vizituar shtëpinë e mëparshme familjare. Nuk kishte shumë për të parë.

“Shtëpia jonë u dogj. Në mure kishte gjëra të shkruara. Gjithçka ishte bosh”, kujton ai.

Ai shpreson se rikthimi si futbollist në Kosovë në atë ndeshje kualifikuese me Zvicrën, do të jetë një përvojë më pozitive.

“Unë luaj për Zvicrën. Por unë kam lindur në Kosovë dhe i dua të dyja vendet. Unë do të jap 100 për qind për Zvicrën. Me siguri do të jetë një moment krenarie. Do të shijoj çdo moment duke luajtur atje, sepse e gjithë familja ime do të vijë. Do të jetë emocionale për mua. Dhe jam i sigurt se do të kemi një pritje shumë të ngrohtë”, insistoi Shaqiri.

Në moshën 31-vjeçare, Shaqiri po hyn në vitet e muzgut të karrierës. Ai është ende në lëvizje. Zjarri në sytë e tij është dëshmi e qartë se Shaqiri nuk e ka ende ndërmend të pensionohet nga futbolli.