Kapiteni i skuadrës italiane Bologna, Blerim Xhemaili, i ka dhënë një premtim Sinisha Mihajlloviqit pas diagnostikimit të leukemisë dhe ka thënë se trajneri “është si baba për ne”.
Trajneri i Bolognas konfirmoi gjatë një konference për media sot se vuante nga leukemia dhe do të nis trajtimin të martën, por do të vazhdojë të punojë – ndonjëherë nga distanca apo përmes stafit të tij.
“Trajneri do ta fitojë këtë betejë edhe për ne, sepse ndihemi sikur jemi familja e tij”, ka thënë Xhemaili për “Sky Sport Italia”.
“Çfarë na ka dhënë ai gjatë gjashtë muajve të fundit rrallë se është dhënë nga ndonjë trajner, veçanërisht në këso periudhe të shkurtër kohore. E dimë se çfarë njeriu është, sa i fortë është dhe do të tentojmë ta transmetojmë forcën tonë tek ai. Presim me padurim kthimin e tij”, është shprehur futbollisti me prejardhje nga Tetova, Blerim Xhemaili, transmeton Koha.net.
“Bashkëpunëtorët e tij janë pjesë e tij dhe ndiejmë se i tërë stafi menaxherial ishin këtu. I dhamë një premtim trajnerit dhe unë në veçanti, si kapiten, dua ta mbaj”.
“Ishte tronditës lajmi i mëngjesit, e them me sinqeritet. Por, porsa folëm me të, e kuptuam se duhet vetëm të vazhdojmë të punojmë kështu, sepse ai do të jetë me ne shumë shpejt. Sinisha na tha të vazhdojmë punën me një buzëqeshje dhe ne do të tentojmë të bëjmë pikërisht atë. Trajneri na e tregoi rrugën, e ndoqëm atë gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai është lider që mund të na çojë deri tek objektivat tona. Natyrisht, askush nuk pret që kjo të ndodhë, por ne jemi afër tij. Mihajlloviqi është si një baba për ne, prandaj do të luftojmë për të siç lufton ai për ne”, deklaroi kapiteni i Bolognas.
Edhe
Xhemaili flet për raportin e Xhakës me Petkoviqin
Mihajlloviqi mori postin e trajnerit të Bolognas në janar kur skuadra ishte thellë në zonën e rrezikut të rënies nga liga, por i ktheu djemtë në pozitën e 10 në fund të sezonit të Serie A.
“Ka shumë pasion këtu dhe stadiumi ishte gjithmonë pothuajse plot, pavarësisht vështirësive që po i kalonim. Kjo tregon se sa e donë njerëzit e këtij qyteti klubin dhe jam i bindur se do të arrijmë diçka të madhe. Secili nga ne duhet të japë diçka këtu, për trajnerin dhe për veten. Kemi shumë lojtarë me karakter të lartë”, theksoi Blerim Xhemaili.