Sport

Xhemaili i hapur t’i bashkohet stafit të Përfaqësueses së Zvicrës

Ish-mesfushori Blerim Xhemaili ka thënë se është i hapur të flasë me Federatën e Futbollit të Zvicrës për rolin e menaxherit te Përfaqësuesja helvetike. Ai ka thënë se nuk e mohon dëshirën për të qenë pjesë e stafit të Përfaqësueses.

“Nuk do ta përjashtoja këtë. Sigurisht që do të dëgjoja nëse Federata dëshiron të flasë me mua. Jam i hapur për bisedime nga janari”, ka thënë Xhemaili në një intervistë për “Blick”.

Xhemaili ka luajtur 69 ndeshje dhe ka shënuar dhjetë gola për Përfaqësuesen e Zvicrës.

Ai ka thënë se selektorit Murat Yakin i takon ta drejtojë Zvicrën të paktën deri në Evropian.

“Është e drejtë të vihet në dyshim puna e Yakinit. Ndeshjet e fundit nuk kanë qenë të mira. Në të njëjtën kohë mendoj se është e drejtë të vazhdohet me Yakinin. E meriton ta drejtojë Zvicrën në Evropian, sidomos pas kualifikimit të bujshëm në Botëror një vit më parë”, ka theksuar Xhemaili.

Ai ka bërë karrierë të madhe si lojtar. Ka luajtur për Zuerichun, Boltonin, Torinon, Parman, Napolin, Galatasarayn, Genoan, Bolognan, Montreal Impactin, Shenzhenin, ndërsa karrierën e mbylli si lojtar i Zuerichut.

Xhemaili 37-vjeçar ka qenë kundër të punojë si trajner pas përfundimit të karrierës. Por ai ka ndërruar mendje tashmë. Ka ndjekur disa stërvitje të djalit të tij.

“Trajneri u argëtua shumë me lojtarët e rinj. Kjo më bëri të mendoj. Nuk kam dashur kurrë të bëhem trajner. Por tani mund ta imagjinoja edhe këtë”, ka thënë Xhemaili.

Ai nuk mund të punojë ende si trajner pasi nuk ka licencat e nevojshme.

“Kam vizituar klube të ndryshme në Evropë në muajt e fundit dhe kam folur me trajnerë dhe drejtorë sportivë për të marrë njohuri. Për momentin jam duke përfunduar shtëpinë time afër Cyrihut dhe nga janari do të jem i hapur për projekte interesante”.

Xhemaili është duke punuar si ekspert futbolli në televizionin e Ticinos, ku analizon ndeshjet së bashku me ish-bashkëlojtarin e tij në Përfaqësuese, Valon Behrami.